Ministri i Brendshëm nën ethet e ndeshjes Shqipëri-Çeki ju drejtohet tifozëve Kuq e Zi: Mos ndizni flakadanë, rrezikojmë ndeshje pa tifozë

  • S.A /
  • 12 October 2023 - 09:58
Ministri i Brendshëm nën ethet e ndeshjes Shqipëri-Çeki ju drejtohet tifozëve Kuq e Zi: Mos ndizni flakadanë, rrezikojmë ndeshje pa tifozë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka paralajmëruar se nëse gjatë ndeshjes me Çekinë, do të ketë qoftë edhe një rast me flakadanë, sfida e Kombëtares me Ishujt Faroe do të zhvillohet me gjysmë stadiumi ose pa tifozë, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjatë një takimi në prag të ndeshjes së kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëri-Çeki, ku morën pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Balla paralajmëroi se s’mund të dëmtohet një ëndërr historike për të shkuar në Europian, me veprime keqdashëse.

Ndërsa theksoi se tifozët kuq e zi që kapen me lëndë piroteknike nuk do të lejohen të hyjnë më në stadium.

Balla theksoi se “kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares kuqezi do të jetë ai person që do të vijë i përgatitur me flakadanë dhe prandaj reagimi ynë kësaj radhe do të jetë shumë i fortë”.

“Nisur nga konkluzionet që kemi nxjerrë nga ndeshja e fundit me Poloninë, publiku është njohur me faktin që FSHF ka marrë vendime për moslejimin e hyrjes në stadium të disa individëve, identiteti i të cilëve është publik.

Policia e Shtetit duhet të marrë masa që asnjëri prej këtyre personave të mos hyjë dhe aty të jetë shembull. Dua të përsëris thirrjen time për të mos tentuar për të hyrë në ambientet e stadiumit me lëndë piroteknike që edhe në aktivitetin e fundit, patëm disa raste që sjellin dëmtim të imazhit të vendit tonë.

Publiku, sportdashësi duhet të kuptojë që nëse do të hidhen flakadanë në fushë, ndeshja e radhës në shtëpi dhe e fundit e kualifikueseve me Ishujt Faroe më 20 nëntor mund të zhvillohet me gjysmë stadiumi ose fare pa tifozë nëse ka incidente. Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares kuqezi do të jetë ai person që do të vijë i përgatitur me flakadanë dhe prandaj reagimi ynë kësaj radhe do të jetë shumë i fortë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

(Kosova Sot Online )