KOK-ut i dorëzohet organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024

  • A.P /
  • 16 October 2023 - 17:01
KOK-ut i dorëzohet organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024

Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) i është dorëzuar edhe zyrtarisht organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024 (ESP 2024), e paraparë të mbahet në tetor të vitit të ardhshëm në Prishtinë.

Dorëzimi për presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, është bërë në Lisbon të Portugalisë, nga Carlos Paula Cardoso, president i Federatës Konfederatës Portugeze të Sportit.

Në fjalimin e tij, presidenti Krasniqi, duke falënderuar drejtuesit e ENGSO-s për besimin, theksoi se ekipi i KOK-ut është i përkushtuar dhe i nderuar për të ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë anëtarët e ENGSO-s, në mënyrë që ESP 2024 të mbahet mend për organizimin shembull dhe mikpritjen e ngrohtë.

Pikërisht në kryeqytetin portugez, për tri ditë është mbajtur Platforma Evropiane e Sportit 2023, në të cilët u zhvilluan punëtori të ndryshme, që kishin të bënin me: Barazinë në sport, qeverisjen e mirë dhe qëndrueshmërinë në sport.

Presidenti Krasniqi, që shoqërohej edhe nga zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili, njëherit anëtare e komisioneve: Barazia përmes sportit dhe komisionit këshillues të Bashkimit Evropian në ENGSO, dhe Marigona Mehmeti, e përfshirë në projektin “Sporti si vlerë”, pati mundësinë të prezantojë projektet e fituara të KOK-ut në Erasmus Plus, sfidat dhe sukseset e KOK-ut, duke përmendur edhe marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. 

(Kosova Sot Online)