A do ta fitojë Messi topin e tetë të 'Artë'?

  • A.P /
  • 17 October 2023 - 14:16
A do ta fitojë Messi topin e tetë të 'Artë'?

Lionel Messi do ta fitojë Topin e Artë numër tetë.

Mediumi spanjoll “Sport” raporton se ylli argjentinas do ta marrë çmimin prestigjioz në ceremoninë që do të mbahet nga revista franceze “France Football” në Paris më 30 tetor.

Kampioni i botës e ka fituar shtatë herë këtë trofe, një rekord absolut, ndërsa këtë muaj mund ta forcojë edhe më shumë rekordin, që duket të jetë i paarritshëm.

Messi duket se e ka mposhtur rivalin kryesor për këtë çmim sivjet, Erling Haalandin, i cili po ashtu e pati një vit fantastik, si në nivelin personal, pasi theu shumë rekorde me 52 golat e tij, ashtu edhe në atë ekipor, pasi e fitoi Ligën e Kampionëve dhe Premierligën me Manchester Cityn.

Messi pritet ta fitojë Topin e Artë falë paraqitjeve të tij fenomenale në Kupën e Botës, të cilën e fitoi me Argjentinën.

Messi bëri paraqitje të mira edhe me Inter Miamin gjatë verës që shkoi, ndonëse në Amerikë luhet futboll i nivelit më të ulët.

Rivali i përhershëm i Messit, Cristiano Ronaldo do të mbetet me pesë trofe të Topit të Artë pasi nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të kandidatëve edhe pse mbrëmë u bë golashënuesi më i mirë i vitit 2023 deri tash me 40 gola.

Në konkurrencën e femrave, një tjetër kampione e botës, Aitana Bonmati, e cila ishte lojtarja më e mirë e turneut të mbajtur në Australi dhe në Zelandën e Re, pritet ta fitojë Topin e Artë pasi shkëlqeu me Spanjën dhe me Barcelonën.

(Kosova Sot Online)