FC Prishtina fituese e Superkupës Kosovë/Diasporë

  • A.P /
  • 18 October 2023 - 16:27
FC Prishtina fituese e Superkupës Kosovë/Diasporë

FC Prishtina e ka fituar Superkupën Kosovë/Diasporë, pasi ka shënuar fitore kundër FC Kastrioti Stukenbrock, me rezultat 4:0, në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali.

Ashtu siç pritej bardhekaltrit e kryeqytetit e dominuan ndeshjen, duke atakuar disa herë portën mysafire, por nuk arritën të gjejnë golin në pjesën e parë.

Në anën tjetër skuadra nga Diaspora dëshmoi organizim të mirë në mbrojtje dhe madje në disa raste edhe u shfaq kërcënuese para portës së Agron Kolajt.

Rezistenca e Kastriotit u thye në minutën e 65-të, kur Diar Halili shënoi për 1:0, teksa në minutat e fundit Prishtina u shfaq edhe më efikase, duke realizuar edhe tre gola tjerë përmes: Albin Krasniqit (85′), Hasan Hysenit (88′) dhe Jalen Miller Blesas (90′).

Do theksuar se trajneri i Prishtinës, Debatik Curri në këtë ndeshje u dha më shumë hapësirë futbollistëve që kanë pasur minutazhë më të vogël gjatë këtij edicioni në Superligë.

(Kosova Sot Online)