Ja kush e akuzon Benzeman për lidhje me 'Vëllazërinë Myslimane'

  • A.P /
  • 18 October 2023 - 17:53
Ja kush e akuzon Benzeman për lidhje me 'Vëllazërinë Myslimane'

Gérald Darmanin pretendon se sulmuesi francez ka qenë i lidhur me grupin e cilësuar si organizatë terroriste në Egjipt.

Ish-ylli i Realit të Madridit, Karim Benzema është akuzuar nga një anëtar i qeverisë franceze për lidhje me "Vëllazërinë Myslimane" pas mbështetjes së tij publike për Palestinën.

Gérald Darmanin, Ministri i Brendshëm i Francës, pohoi në një intervistë televizive se Benzema "ka lidhje famëkeqe me Vëllazërinë Myslimane". Organizata shumëkombëshe islamike është cilësuar si një grup terrorist në Egjipt dhe disa vende fqinje, por jo në Francë.

Para disa ditësh, Benzema, i cili aktualisht luan për skuadrën e Arabisë Saudite, Al Ittihad, postoi një mesazh mbështetjeje në lidhje me konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë.

“Të gjitha lutjet tona për banorët e Gazës që janë sërish viktima të këtyre bombardimeve të padrejta që nuk kursejnë gra e fëmijë”, thuhej në mesazhin e Benzemasë. Francezi, një mysliman i devotshëm, është përballur me shumë kritika për këto komente.

Benzema kritikohet nga Dudu Aouate

Situata Izrael-Palestinë është një konflikt me nuanca të pafundme dhe i rrënjosur thellë, i cili vlon për më shumë se gjysmë shekulli. Fjalët e dhembshurisë së Benzemasë mund të duken relativisht të padëmshme, por mesazhi i tij ka sjellë kritika nga shumë anë.

Darmanin nuk është i vetmi personazh publik që i është përgjigjur postimit të Benzemasë. Kundër Benzemasë ka folur publikisht edhe ish-portieri izraelit, Dudu Aouate. Aouate, një ish-profesionist me skuadrat spanjolle Mallorca dhe Deportivo de la Coruña, përdori të njëjtën frazë të turpshme për të fyer Benzemanë në pesë gjuhë të ndryshme.

Postimi i Aouate në X, më parë Twitter, tashmë është kufizuar për shkelje të mundshme të rregullave të faqes kundër sjelljeve të urrejtjes.

Ndryshe nga shumë tragjedi të mëparshme globale, në këtë rast bota e futbollit nuk ka arritur të mblidhet rreth një kauze të vetme për të ndihmuar për mbështetjen e viktimave. Natyra e diskutueshme dhe kontestuese e konfliktit ka bërë që disa lojtarë, si Benzema, të përballen me kritika për komente në dukje të padëmshme.

(Kosova Sot Online)