Asani i zbulon ofertat që ka

  • A.P /
  • 18 October 2023 - 19:04
Asani i zbulon ofertat që ka

Jasir Asani është njeriu i momentit te Shqipëria. Sulmuesi anësor është protagonist kryesor i kuqezinjve në këto eliminatore me tre gola të shënuar, por edhe me dy asiste. Statistika këto që e ndihmojnë Shqipërinë të renditet e para në grupin kualifikues dhe shumë pranë biletës për në Europianin e verës së ardhshme që zhvillohet në Gjermani.

Së fundmi, Asani që aktivizohet në Korenë e Jugut me skuadrën e Gwangju, ka dhënë një intervistë për një faqe italiane, ku thekson rëndësinë që pati trajneri Sylvinho në karrierën e tij si dhe mundësinë që në janar të transferohet në një kampionat tjetër, ku ai preferon Serinë A.

“Jam i bindur se nëse në Tiranë do të kishim një stadium si Camp Nou, shqiptarët do ta kishin mbushur plot. Jemi një popull i çmendur për futboll. Në Shqipëri marrim një dashuri të jashtëzakonshme nga tifozët. Në rrugë na quajnë heronj dhe mesazhet në rrjetet sociale i kemi plot. Ndonjëherë humbas në Instagram edhe mesazhet e prindërve, aq shumë janë. Mendoja se nuk do më thërrisnin më në kombëtare, por ja ku jam, në moshën 28-vjeçare. Protagonist në një Shqipëri që është më e fortë se kurrë.

Sylvinho më ndryshoi jetën, para tij asnjë trajner i kombëtares nuk më konsideroi kurrë. Kam lindur në Shkup, Maqedonia e Veriut më kërkoi, por unë refuzova. Jam ndjerë gjithmonë shqiptar. Akoma e mbaj mend telefonatën e parë me Sylvinhon. Më telefonoi pak orë para një ndeshje dhe isha aq i lumtur sa në atë sfidë shënova një tripletë.

Kam oferta nga Italia, Gjermani, Arabia dhe Spanja, në janar pres të transferohem në një prej këtyre ligave. Por, si çdo shqiptar edhe unë jam i fiksuar me Serie A. Të gjithë në Shqipëri përveç mbështetjes për një ekip shqiptar, bëjnë tifo edhe për një klub italian.

Goli ndaj Polonisë ishte i mrekullueshëm. Mund ta kem parë edhe një mijë herë të tjera. Në një moment gjatë ndeshjes, Szczęsny m’u afrua dhe më komplimentoi. Më tha se nuk e priste kurrë që unë të godisja nga ai pozicion”, përfundoi Jasir Asani.

(Kosova Sot Online)