Ja përgjigja diplomatike e Guardiolës për fituesin e 'Topit të Artë'

  • A.P /
  • 20 October 2023 - 16:32
Ja përgjigja diplomatike e Guardiolës për fituesin e 'Topit të Artë'

Pep Guardiola është vënë në siklet sot kur në konferencë për shtyp u pyet se cili prej dy favoritëve kryesorë, Lionel Messi dhe Erling Haaland duhet ta fitojë Topin e Artë 2023.

Trajneri spanjoll e ka çuar në qiell ish-lojtarin e tij tek Barcelona, por ndërkohë e lavdëroi edhe lojtarin e tij aktual, i cili fitoi gjithçka të mundshme me “Citizens” këtë vit.

“Unë gjithmonë e kam thënë se Topi i Artë duhet të jepet në dy seksione. Një për Messin dhe një për të tjerët”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut.

“Haaland duhet ta fitojë, po. Ne e fituam ‘treshen’ e trofeve, ai i shënoi një milion gola. Do të doja që Erling ta fitojë. Por Messi… Leo e fitoi Kupën e Botës!”, u shpreh tutje Guardiola.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë shihet me mundësi më të mëdha për ta fituar për herë të tetë këtë trofe prestigjioz individual.

Por, edhe sulmuesi norvegjez e kaloi një vit të jashtëzakonshëm dhe nuk do të ishte e padrejtë nëse e fiton edhe ai.

(Kosova Sot Online)