Isco shpreson të ftohet sërish nga Spanja, pas paraqitjeve të mira me Real Betisin

  • S.A /
  • 30 October 2023 - 08:54
Isco shpreson të ftohet sërish nga Spanja, pas paraqitjeve të mira me Real Betisin

Që kur u bashkua me Real Betis në verë, Isco Alarcon ka qenë në formë të shkëlqyer. Ish-mesfushori i Real Madridit pati vështirësi te Sevilla, por riktheu shkëlqimin e tij që kur kalon në anën bardheblu të Andaluzisë,transmeton "Kosova Sot Online".

Isco bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer të dielën, teksa Real Betis mposhti Osasunan me rezultatin 2:1. Ai asistoi te goli i parë i shënuar nga Willian Jose, përpara se të shënonte golin e fitores në minutën e 95-të.

Duke folur pas ndeshjes, 31-vjeçari zbuloi ambiciet e tij për t’u rikthyer te Kombëtarja e Spanjës, ku nuk ka qenë që nga ditët e tij në Real Madrid.

“Shpresoj se mund të rikthehem në kombëtare, është arritja më e madhe për një futbollist. Jam i kënaqur me punën që bëj, por kombëtarja varet nga ajo që bëj në fushë. Nëse ai shpërblim vjen një ditë, do të jem i lumtur”, tha ai. Në bazë të paraqitjeve të tij për Real Betisin, nuk do të ishte befasi nëse Isco ftohet nga Luis de la Fuente për ndeshjet e nëntorit. 

(Kosova Sot Online )