FC Prishtina 01 i pret me kënaqësi ndeshjet e gjigantëve evropianë të futsallit

  • S.A /
  • 03 November 2023 - 08:57
FC Prishtina 01 i pret  me kënaqësi ndeshjet e gjigantëve  evropianë të futsallit

FC Prishtina 01 do të luajë në Elite Round të Ligës së Kampionëve, pasi javë më parë zuri vend në mesin e 16-të ekipeve më të mira evropiane, transmeton "Kosova Sot Online".

Një sukses që rrallë arrihet nga klubet e të gjitha sporteve në Kosovë, por këtë e arriti FC Prishtina 01 që bëri paraqitje të mëdha si në Poloni po ashtu edhe në Lituani. Në shortin e hedhur sot në Nyon të Zvicrës, FC Prishtina që do të jetë organizatore e ndeshjeve të Elite Round, do të pres klube me emër si Benfica (Portugali), Kairat (Kazakistan) dhe Dobocev (Slloveni).

Si erdhi Prishtina 01 deri te suksesi

Për të arritur në mesin e 16-të skuadrave më të mira, FC Prishtina 01 nuk kishte rrugëtim të lehtë, por në gjashtë ndeshje, mori katër fitore dhe dy barazime për të kaluar dy grupe, duke shënuar 31 gola dhe duke pranuar vetëm pesë sosh. Në Preliminary Round, FC Prishtina 01 mposhti Isbjorninn (Islandë) me rezultat 11-1, pastaj Utleiran (Norvegji) me rezultat 5-1, për të barazuar në fund me Lubawan (Poloni) me rezultat 1-1 dhe si lider kalon në fazën tjetër që njihen si Main Round.

Në këtë raund që u zhvillua javën e shkuar në Lituani, FC Prishtina 01, shkëlqeu po ashtu.

Fillimisht mposhtën KaDy (Finlandë) me rezultat 6-0, pastaj barazuan me vendasit e Kauno Zalgiris (Lituani) me rezultat 0-0, për të fituar në fund ndj AEL Limassol me rezultat 8-2 dhe për të kaluar tutje si lider me 7 pikë.

Presidenti i klubit, Bledion Bryma thotë se do të ketë spektakël në Prishtinë

FC Prishtina 01 është themeluar vetëm pesë vite më parë, ku deri tani ka arritur të fitojë një titull kampioni dhe dy herë Kupën e Kosovës. Bledion Bryma, që është president i klubit, ka folur për sukseset e deritashme, por edhe pritshmëritë në Elite Round.

“Në intervistën e fundit iu thash se do të bënim mirë në Main Round dhe ia dolëm duke kaluar si lider grupin dhe tani jemi në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës. Është kënaqësi e madhe që të gjendesh në mesin e ekipeve më të mira. Kjo erdhi pas një pune të madhe të të gjithëve në klub, nga trajnerët te lojtarët dhe pjesa tjetër e ekipit”.

“Shorti sa është i vështirë është edhe i shkëlqyer. I vështirë pasi që kemi në grup dy prej klubeve më të mëdha në botë në futsall, si Benfica dhe Kairat që janë kampion të Evropës në të shkuarën. Por është edhe i shkëlqyer, pasi që këto klube do të zbarkojnë në Prishtinë dhe publiku i kryeqytetit, por edhe i të gjithë Kosovës do të kenë mundësi që nga afër të shohin disa nga lojtarët më të shkëlqyer të futsallit”, ka thënë Bryma për Telegrafin.Prishtina ka marr organizimin e ndeshjeve dhe për këtë duke thënë se klubit i duhet ndihmë, pasi që një ngjarje e tillë e madhe me klube të forta rrallë vije në Kosovë.

“Ne do të jemi gati për 28 nëntor për të organizuar pritjen e ndeshjeve të grupit. Po punohet shumë që të kemi paraqitje sa më të mirë edhe si organizator edhe si klub në parket. Absolutisht që duhet ndihma nga të gjithë, pasi një ngjarje e tillë sportive rrallë vije në Kosovë”.

“Sa i përket gjasave në grup, ne do të ndeshemi me të gjithë, pa frikë, me lojën tonë, siç kemi bërë deri më tani. Do të jetë e vështirë, por besoj shumë që në fund do t’i bëjmë krenarë të gjithë që na përkrahin”, përfundoi Bryma. Alaj thotë se do të jetë kënaqësi të përballen me ekipet e forta

Njëri prej lojtarëve më të mirë të futsallit kosovar, Ramadan Alaj, ka folur për sukseset e arritura deri më tani dhe mënyrën se si kanë ardhur deri këtu.

“Suksesi i rrugëtimit te FC Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve është si rezultat i një pune të shkëlqyer të dy trajnerëve Haki Ahmeti dhe Ferid Agushi, të cilën me punën e tyre kanë bërë që grupi i lojtarëve të funksionojë si një trup i vetëm dhe të luftojë në çdo ndeshje për fitore gjë që ndodhi dhe jemi në 16 ekipet më të mira të këtij kompeticioni”, ka thënë fillimisht Alaj.

Tutje Alaj shtoi se është çmenduri të mendohet të kalohet nga ky grup në mesin e katër më të mirave, por që FC Prishtina 01 do të luftojë që të bëjë më të mirën. Çdo klub i futsallit gjithmonë dëshiron që të përballët me ekipet më të forta në Evropë, andaj ky është rast i madh që rrallë të vjen dhe që duhet ta shfrytëzojmë dhe të tregojmë më të mirën. Është e çmendur të mendosh kualifikimin në këtë grup ferri, por ne nuk jemi të dorëzuar. Do të luftojmë dhe do të tregojmë që nuk jemi rastësisht në këtë grup”, përfundoi Alaj.

Ndeshjet e Elite Round zhvillohen në Prishtinë nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor.

(Kosova Sot Online )