Messi tregon prapaskenat se si i dështoi rikthimi te Barcelona, zbulon nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës në vitin 2026

  • S.A /
  • 04 November 2023 - 12:49
Messi tregon prapaskenat se si i dështoi rikthimi te Barcelona, zbulon nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës në vitin 2026

Lionel Messi dëshironte me çdo kusht rikthimin te Barcelona, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Pas dy viteve të kaluara te Paris Saint Germain në Ligue 1, ylli argjentinas u largua i lirë nga Parc de Princes dhe qëllimi ishte të rikthehej te Barcelona, transmeton (Kosova sot Online".

Megjithatë rikthimi në Kataluni ishte i pamundur, pasi Barcelona kishte probleme të mëdha financiare dhe nuk kishin mundësi ta regjistronin atë.

Në një intervistë për të përditshmen franceze L’Equipe, Messi ka zbuluar prapaskenat pse nuk u bë i mundur rikthimi te Barcelona në verën e këtij viti.

“Mund të rikthehesha te Barcelona, por nuk u realizua. Ishte një situatë pak a shumë e ngjashme me atë të largimit në vitin 2021. E mendova shumë rikthimin te Barça, jetën time atje dhe të tërhiqesha ashtu siç e kisha ëndërruar, por nuk ishte e mundur”.

“Ishte një ide e bukur për mua dhe familjen time, por ishte diçka e pamundur për t’u realizuar”, deklaroi tetë herë fituesi i Topit të Artë.

Ai ndër të tjera tha se e ka mbyllur me futbollin evropian, derisa sa i përket pjesëmarrjes në Botërorin e vitit 2026, ai tha se do ta sheh gjendjen fizike pasi do të jetë në moshë të shtyrë.

“Po. Falë Zotit pata një karrierë të jashtëzakonshme në Evropë dhe fitova të gjithë titujt që kisha ëndërruar. Tani vendosa të transferohem në Amerikë dhe nuk besoj se do të rikthehem në Evropë”.

“Kupa e Botës në vitin 2026? Duke marrë në konsideratë moshën që do të kem në atë vit, e mendoj pak të vështirë, por të shohim”, u shpreh Messi.

(Kosova Sot Online )