Daja: Na pret lojë e vështirë

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 15:16
Daja: Na pret lojë e vështirë

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur optimist para lojës së nesërme me Astanën, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Trajneri shqiptar është i vetëdijshëm se ekipin kosovar e pret një punë e vështirë, duke e pasur parasysh se e humbi lojën e parë në Prishtinë.

Por, trajneri i kampionëve insiston se skuadra Portokalli do ta japë më të mirën nga vetja për të dalë faqebardhë nga përballja e nesërme në “Astana Arena”, shkruan “Gazeta Express”.

“Nëse e marrim krahasimin, Astana ka më shumë eksperiencë se ne në garat evropiane. Ka më shumë ndeshje ndërkombëtare se ne. Ne jemi për herë të dytë që marrim pjesë në garat evropiane. Në udhëtim e kemi më të vështirë, pasi Astana ka në favor klimën dhe mbështetjen e publikut. Prandaj presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej vështirësive edhe ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje edhe të rezultatit”, deklaroi Daja para ndeshjes së nesërme, e cila do të fillojë në orën 16:30.

(Kosova Sot Online)