Mërgim Berisha dhe Vesa Vllasaliu, nga planet për dasmë deri te ‘tradhëtia’

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 18:11
Mërgim Berisha dhe Vesa Vllasaliu, nga planet për dasmë deri te ‘tradhëtia’

Mërgim Berisha ka qenë protagonist dhe mjaft “IN” në javët e fundit.

Futbollisti kosovar u fol e u përfol me të madhe në Kosovë dhe më gjerë, por jo për karrierën e tij apo për ndonjë sukses të arritur.

Më saktësisht, sulmuesi nga Suhareka përfundoi në ballinat e portaleve për jetën e tij private.

Ishte ish e fejuara e tij, Vesa Vllasaliu, ajo që u rikthye në kohë për ta kujtuar eksperiencën me futbollistin aktual të Hoffenheimit.

Bukuroshja e rritur në Zvicër, e cila është banore e Big Brother VIP Kosova 2, zbuloi shumëçka nga periudha e lidhjes së tyre, por edhe pas saj.

Vesa tregoi se po ia kalonte për mrekulli me partnerin e saj, derisa, sipas saj, në mes hyri shoqja e saj e ngushtë.

Ajo u ankua se ishte pikërisht shoqja ajo që e preu në besë dhe që ia mori burrin pasi bukuroshja Edona Berisha tash është gruaja e futbollistit kosovar.

Madje, Vesa zbuloi se shoqes ia kishte besuar ta ndihmonte në organizimin e dasmës që do ta kishte pas vetëm pak muajsh me, atëherë futbollistin e Fenerbahçes.

Por, Edona Berisha ndërkohë e ka dhënë një intervistë duke insistuar se nuk e kishte shoqe Vesën, por vetëm se e njihte dhe se me futbollistin e kishte nisur lidhjen vetëm pasi ai ishte bërë “single”.

Ndërkohë, në këtë temë është përfshirë edhe vëllai i Mërgimit, Besarti, i cili në një intervistë tha se Vesa e kishte ofenduar familjen e tyre dhe se ishte munduar që partnerit të saj t’ia ndërpriste kontaktet dhe lidhjen me familjen.

Vesa, tutje në rrëfimin e saj tregoi se familja e Mërgim Berishës përmes avokatit të tyre kishte kërkuar nga ajo që të mos e zbulonte përvojën e hidhur me futbollistin pasi në të kundërtën ajo do të gjobitej me para.

Por, Vllasaliu nuk e përfilli këtë kërkesë pasi dëshiron që t’i zbulojë të gjitha përjetimet e saj.

Ajo ndër të tjera tha se ish-partneri e kishte lënë në mes të rrugës duke e larguar me forcë dhe dhunshëm nga vetura, ndërsa nuk e kishte lënë më të futej në banesën e tyre në Stamboll.

Edhe sot e asaj dite, influencerja i kërkon gjësendet e saj personale nga futbollisti.

E rënduar emocionalisht, Vesa u shpreh se ndihet e tradhtuar mbi të gjitha nga shoqja e saj.

Ndonëse shpresonte që do t’i kthehej tashmë ish i fejuari, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Ajo ka zbuluar se kishte bërë vizita te psikologia për ta kaluar këtë periudhë të vështirë.

Ajo nuk u ndal me kaq në “Primen” e fundit të BB VIP Kosova 2.

“E ka tradhtu Kosovën e s’pom tradhton mu”, u dëgjua duke thënë Vesa.

Ajo në këtë rast ia gjuajti një kungj tjetër ish-futbollistit të Salzburgut dhe Augsburgut, i cili e injoroi Kombëtaren e Kosovës duke e zgjedhur Kombëtaren gjermane për ta përfaqësuar.

Deri tash, Mërgim Berisha e ka zgjedhur heshtjen për këtë çështje, ndërsa së fundmi e postoi një fotografi me gruan e tij, duke u shfaqur mjaft të lumtur.

Ai e kaloi një sezon fantastik me Augsburgun në edicionin e fundit, ku ishte huazuar nga Fenerbahçe.

E gjatë verës që shkoi, kartonin e futbollistit e bleu klubi gjerman, të cilin më pas e shiti në Hoffenheim.

Sulmuesi nga Suhareka nuk e ka nisur dhe aq mirë eksperiencën në ekipin e Bundesligës, ndërsa këtë javë pësoi edhe lëndim.

(Kosova Sot Online)