“Klubet evropiane po i shantazhojnë futbollistët e Kosovës për të mos luajtur në ndeshjen me Izraelin”

  • S.A /
  • 09 November 2023 - 11:59
“Klubet evropiane po i shantazhojnë futbollistët e Kosovës për të mos luajtur në ndeshjen me Izraelin”

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha nuk e ka publikuar ende listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e nëntorit ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë nga ndeshja me Izraelin, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online".

Dhe, me këtë çështje është marrë mediumi rumun, “ProSport”, sipas të së cilit, ky është një rast i paprecedent dhe i paparë ndonjëherë në historinë e futbollit profesionist.

Mediumi rumun shkruan tutje se zhagitja e publikimit të listës nga ana e selektorit të Kosovës lidhet kryekëput me faktin se klubet në të cilat aktivizohen lojtarët e Kosovës, kanë kërkuar nga këta të fundit që t’i refuzojnë thirrjet e Kombëtares, duke i shantazhuar madje ata, në mënyrë që t’i kenë në dispozicion për ndeshjen e së dielës, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Situata po përshkallëzohet në garën e Rumanisë në Euro 2024. Kosova ende nuk e ka shpallur listën e ekipit për ndeshjen kundër Izraelit, që do të luhet të dielën. Arsyet janë të paprecedentë në historinë e futbollit profesionist”, shkruan fillimisht mediumi rumun.

“Arsyet pse Kosova, kundërshtari i Rumanisë, po vonon ta shpallë listën, sipas informacioneve tona, janë për shkak se ndeshjet e klubeve të tyre luhen në të njëjtën periudhë me lojën Kosovë – Izrael. Dhe, disa klube në Evropë po i shantazhojnë lojtarët e tyre me origjinë kosovare, të cilët janë nën kontratë, për ta refuzuar thirrjen, në mënyrë që të jenë në dispozicion në ndeshjet kampionale”, vazhdon tutje “ProSport”.

Mbrëmë, Amir Rrahmani u shpreh se nuk e di nëse do t’i bashkohet Kombëtares për duelin me Izraelin apo do të luajë në fundjavë me Napolin kundër Empolit.

Ka mundësi që Kosova ta publikojë sot listën e të ftuarve, ndërsa nuk dihet nëse yjet e ekipit do të jenë pjesë e “Dardanëve” për ndeshjen e së dielës me Izraelin.

(Kosova Sot Online )