Ide unike për ceremoninë e Messit, planifikohet miqësorja e kampionëve të botës me Barçën

  • S.A /
  • 09 November 2023 - 13:23
Ide unike për ceremoninë e Messit, planifikohet miqësorja e kampionëve të botës me Barçën

Barcelona dhe kombëtarja e Argjentinës po bashkëpunojnë për të dakordësuar një ndeshje miqësore në vitin 2024. Ideja e palëve është që ky takim të zhvillohet në “Camp Nou-n” e ri dhe që kjo sfidë të shërbejë edhe si një ndeshje lamtumire e Lionel Messit nga Barcelona, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në këtë ndeshje pritet që sulmuesi të prezantojë para publikut blaugranas Kupën e Botës dhe të tetin “Top të Artë”, ndërsa një tjetër e veçantë është fakti se Messi do të luajë me të dyja skuadrat.

Në pjesën e parë, Messi do të përfaqësojë Argjentinën ndërsa në të dytën, do të zbresë në fushë me fanellën e Barcelonës, skuadrës ku shkroi historinë e futbollit botëror dhe që ka një meritë të veçantë në të gjitha arritjet e “pleshtit” gjatë karrierës, shkruan tch.

Prej kohësh është folur se Messit i duhej një përshëndetje ashtu siç i takon nga populli katalanas për shkak se kur u largua në vitin 2021, gjithçka ndodhi shpejt dhe nuk pati mundësi për një ceremoni.

Megjithatë, viti 2024 duket se do të jetë i duhuri që 36-vjeçari të ndjenjë për herë të fundit dashurinë e tifozëve të Barcelonës me klubin që pikërisht në atë miqësore, në vitin kur feston datëlindjen e 125-të, do të kërkojë të theksojë dëshirën për të nisur epokën e re, me stadiumin e ri dhe me një projekt që synon rikthimin e katalanasve në majat e Europës.

(Kosova Sot Online )