Moggi: Rikthimi i Ibrahimovicit është zgjedhje e duhur

  • A.P /
  • 10 November 2023 - 19:55
Moggi: Rikthimi i Ibrahimovicit është zgjedhje e duhur

Luciano Moggi vlerësoi se Milani bëri zgjedhjen e duhur në planin për rikthimin e ish-lojtarit të tyre, Zlatan Ibrahimovic, me rol të ri në klub.

Ish-sulmuesi u pensionua nga futbolli në fund të sezonit të kaluar.

Milani ka qenë në kontakt të ngushtë me Ibrahimovicin gjatë javëve të fundit, duke punuar për ta rikthyer atë në klub në një rol në prapavijë, duke besuar se prania dhe puna e tij mund të jenë kyçe për të çuar përpara projektin nën drejtimin e Stefano Piolit.

Duke folur për “TvPlay”, Moggi fillimisht dha mendimet e tij për cilësitë e Ibrahimovic si person.

“E njoh Zlatanin, e pashë atë praktikisht si djalë, por kur e takova, pata menjëherë ndjenjën se ai kishte gjëra të tilla që mund ta çonin larg, por jo vetëm si lojtar, por si burrë. Ai është karizmatik, nuk i mungon asgjë për të qenë një menaxher i madh. Unë e shoh atë jo vetëm të mirë, por shumë të mirë në këtë rol”, tha fillimisht ai.

Ish-drejtori i Juventusit më pas diskutoi punën e Milanit për të rikthyer Ibrahimovicin dhe rolin që ai mund të kishte përkrah trajnerit Pioli.

“Unë nuk di asgjë për këtë, por nëse Milani mendoi që ai të plotësonte një rol që ndoshta nuk ekziston tani, mendoj se është zgjedhja e duhur, e matur dhe gjithashtu perfekte. Zlatan është një djalë i jashtëzakonshëm, një njeri i jashtëzakonshëm, vetëm shikoni karrierën që ka pasur dhe ku ka shkuar. Ai ka përvoja që pakkush i ka, ka karizëm dhe ka pasur mundësinë të ketë në krah një person të jashtëzakonshëm si Mino”, deklaroi Moggi.

Sa i përket idesë së Milanit për rikthimin e ish-reprezentuesit suedez, ende nuk ka asgjë zyrtare. 


(Kosova Sot Online)