Superliga vazhdon sot me tri ndeshje interesante

  • S.A /
  • 11 November 2023 - 10:09
Superliga vazhdon sot me tri ndeshje interesante

Superliga e Kosovës vazhdon sot me tri ndeshjet e radhës në kuadër të javës së 14-të.

Drita, që ka regjistruar një barazim e dy humbje në tri ndeshjet e fundit të luajtuara, do të presë Fushë Kosovën, që nuk ka humbje në tri ndeshjet e fundit, duke regjistruar dy barazime e një fitore, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjilanasit janë të dytit në tabelë me 22 pikë, shtatë më pak se lideri, Ballkani, që ka një ndeshje më pak.

Fushë Kosova është e parafundit me 10 pikë.

Ndeshja tjetër do të zhvillohet në “Zahir Pajaziti”, me Llapin që e pret Feronikelin ’74. Edhe skuadra nga Podujeva, që pretendon titullin e kampionit, nuk po kalon formë të mirë pasi nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit, duke regjistruar një humbje e pastaj tri barazime rresht. Fitore në katër xhirot e fundit nuk ka regjistruar as skuadra nga Drenasi, që ka dy barazime e dy humbje. Llapi është i treti në tabelë me 22 pikë, kurse Feronikeli ’74 i teti me 12 sosh. Përballja e tretë për ditën e sotme do të luhet në stadiumin “Përparim Thaçi”, mes Lirisë e Prishtinës.Prizrenasit, që së fundmi shkarkuan  trajnerin dhe ende janë në kërkim të të riut, kanë vetëm një fitore këtë edicion. Më pas kanë një seri të nëntë ndeshjeve pa fitore, me bilanc prej tri barazimeve dhe gjashtë humbjeve. Në anën tjetër, prishtinasit udhëtojnë drejt Prizrenit pas dy ndeshjeve rresht pa fitore; një humbjeje dhe një barazimi. Liria është e fundit në tabelë me vetëm tetë pikë, kurse Prishtina ka grumbulluar 15 pikë dhe renditet e pesta.Të tri ndeshjet do të zhvillohen nga ora 13:00.

(Kosova Sot Online )