“Vendi ynë është më i rëndësishëm se futbolli, s’mund ta harrojmë luftën por duhet të luajmë dhe të kemi përfaqësim dinjitoz”

  • S.A /
  • 13 November 2023 - 12:51
“Vendi ynë është më i rëndësishëm se futbolli, s’mund ta harrojmë luftën por duhet të luajmë dhe të kemi përfaqësim dinjitoz”

Kombëtarja e Izraelit u mposht mbrëmë nga Kosova me rezultat 0:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Futbollistët izraelitë e zhvilluan ndeshjen e parë për Kombëtaren e tyre që nga lufta që shpërtheu me organizatën Hamas, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kjo ndeshje ishte paraparë të luhej në muajin tetor, por ishte shtyrë për një muaj shkaku i situatës së krijuar në tokën izraelite.

Trajneri i Kombëtares së Izraelit, Alon Hazan e pranoi se futbollistët e tij nuk e kanë mendjen krejtësisht tek futbolli, duke e pasur parasysh se çfarë po ngjet në vendin e tyre.

“Të gjithë po mendojnë për familjet e tyre, për ushtarët, për të kidnapuarit që i kemi atje. Shumë familje dhe njerëz i humbën më të dashurit e tyre. Pra, kjo (lufta) është pjesë e jona dhe do të jetë sepse vendi ynë është më i rëndësishëm se futbolli. Por, ne duhet të luajmë futboll dhe duam ta përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë të jetë e mundshme.”, deklaroi ai në konferencë për shtyp.

“Duhet të shikojmë lojë pas loje. Ne deshëm të fitonim sonte, por humbëm. Mundësitë (për të shkuar në Euro 2024) ekzistojnë ende. Ne tash e kemi fokusin tek ndeshja me Zvicrën, do të jetë mjaft e vështirë. Do të shohim se si do të jetë gjendja e lojtarëve. Disa prej tyre nuk kanë luajtur qe disa javë”, u shpreh tutje trajneri izraelit.

Izraeli, i cili e synon kualifikimin e parë në një Evropian që kur u bë anëtare e UEFA-s në vitin 1994, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje kualifikuese, me Zvicrën në Hungari më 15 nëntor dhe me Rumaninë tri ditë më vonë. 

(Kosova Sot Online )