UEFA hap procedurë për fishkëllimat e tifozëve kosovarë në lojën Kosovë – Izrael

  • A.P /
  • 14 November 2023 - 16:05
UEFA hap procedurë për fishkëllimat e tifozëve kosovarë në lojën Kosovë – Izrael

Kombëtarja e Izraelit e zhvilloi të dielën ndeshjen e parë të futbollit që prej fillimit të luftës Izrael-Hamas, duke humbur 0:1 nga Kosova në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024.

Gjatë intonimit të himnit nacional izraelit para lojës, disa tifozë vendës e fishkëllyen dhe e kontestuan himnin e Kombëtares mysafire, në bazë të disa videove që qarkulluan në rrjetet sociale.

UEFA, si trupë qeverisëse e futbollit evropian, i ka thënë CNN-it në një njoftim se “janë hapur procedurat disiplinore për ‘trazirat’ që ndodhën gjatë intonimit të himneve kombëtare”..

“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinor i UEFA-s do të merret me këtë rast me kohë”, njofton tutje UEFA.

CNN e ka kontaktuar edhe Federatën Izraelite të Futbollit për ta komentuar këtë rast.

Ndeshja ishte paraparë të luhej më 15 tetor, por ishte shtyrë si rezultat i shpërthimit të luftës në tokën izraelite.

Milot Rashica e shënoi golin e fitores së Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ky rezultat nënkupton se Kosova i ka 10 pikë në Grupin I, një më pak se Izraeli, i cili është i treti.

Dy Kombëtaret kryesuese për momentin janë Rumania dhe Zvicra, ndërsa dy vendet e para të grupit kualifikohen automatikisht në Kampionat Evropian, i cili do të mbahet vitin tjetër në Gjermani.

Kosova kishte mundësi të tjera për ta ngritur epërsinë e rezultatit, por nuk ia doli.

Izraelitët nga ana tjetër nuk e kishin krejtësisht mendjen tek futbolli, duke e pasur parasysh situatën nëpër të cilën po kalon shteti i tyre.

“Vendi ynë është më i rëndësishëm se futbolli. Ne nuk mund ta ndajmë luftën nga ne. Por, na duhet të luajmë futboll dhe duam ta përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë të jetë e mundur”, deklaroi në konferencë për shtyp pas lojës selektori i Izraelit, Alon Hazan

“Mundësitë për t’u kualifikuar në Euro 2024 ekzistojnë ende. Ne jemi duke shikuar kah ndeshja me Zvicrën, e cila do të jetë mjaft e vështirë. Dhe, ne do ta shohim edhe situatën dhe gjendjen fizike të disa lojtarëve tanë”, vazhdoi ai.

Ndeshja mes Izraelit dhe Zvicrës do të luhet të mërkurën në stadiumin “Pancho Aréna” në Hungari. 

(Kosova Sot Online)