“Dardanët” do ta zhvillojnë sot stërvitjen e fundit në shtëpi para nisjes për në Zvicër

  • S.A /
  • 16 November 2023 - 10:22
“Dardanët” do ta zhvillojnë sot stërvitjen e fundit në shtëpi para nisjes për në Zvicër

Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për dy sfidat e ardhshme që e presin në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Dardanët” do ta zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore në shtëpi para nisjes për në Zvicër.

Federata e Futbollit të Kosovës njofton se stërvitja e sotme e Verdhekaltërve do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali duke filluar nga ora 11:00.

Tutje, kontingjenti kosovar do ta marrë rrugën drejt Baselit, aty ku të shtunën mbrëma do të përballet me Zvicrën në kuadër të Grupit I të kampanjës kualifikuese për Kampionat Evropian.

Kosova vjen nga fitorja me Izraelin me rezultat minimal, 1:0, ndërsa e sheh veten në vendin e katërt në grup me 10 pikë.

Kurse, “Helvetikët” dështuan mbrëmë ta mposhtin të njëjtin kundërshtar, me të cilin barazuan 1:1 në ndeshjen e zhvilluar në Hungari.

Xhaka e Shaqiri me shokë kanë nevojë për fitore për t’iu afruar kualifikimit, ndërsa Kosova e ka më të komplikuar punën pasi, krahas dy fitoreve në dy ndeshjet e fundit, ka nevojë edhe për “favore” nga Kombëtaret tjera, të cilat duhet të dështojnë.

“Dardanët” do të jenë të hendikepuar në ndeshjen “vëllazërore” të së shtunës pasi s’do të mundë të llogarisin në tre lojtarë të rëndësishëm si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Edon Zhegrova, shkruan “Gazeta Express”.

Ndërkohë, trajneri Primoz Gliha do ta ketë mundësinë që edhe në këtë ndeshje t’ua japë rastin futbollistëve të rinj, mbi të gjitha atyre të Superligës.

Kosova do ta mbyllë ciklin kualifikues të martën tjetër me ndeshjen që do ta zhvillojë në shtëpi kundër Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online )