Shfaqen probleme serioze te Kombëtarja e Zvicrës, Shaqiri “kapet” ashpër me trajnerin Yakin pak ditë para lojës me Kosovën

  • 16 November 2023 - 13:29
Shfaqen probleme serioze te  Kombëtarja e Zvicrës, Shaqiri “kapet”  ashpër me trajnerin Yakin pak ditë para lojës me Kosovën

Përpos Kosovës, edhe Kombëtarja e Zvicrës po përballet me probleme të brendshme, transmeton "Kosova Sot Online".

Mediat zvicerane zbulojnë se ylli i “Helvetikëve”, Xherdan Shaqiri i ka prishur punët me selektorin Murat Yakin.

Futbollisti kosovar përfundoi në bankinë gjatë tërë kohën në barazimin e mbrëmshëm ndaj Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar në Hungari, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

Pas lojës, futbollisti i Chicago Fire u detyrua të ushtronte me ekipin e rezervistëve, ndërsa i pyetur se përse nuk luajti, ishte i shkurtër në përgjigjen e tij: “Pyeteni trajnerin”. Ndërkohë, vetë Yakin e ka dhënë versionin e tij pas ndeshjes. “Do të kisha dashur t’ia jepja disa minuta, por nuk ishte një lojë për Shaq. Ne i kemi tri ndeshje në gjashtë ditë dhe e dimë se çfarë të presim të shtunën. Prandaj, këtë lojë (me Izraelin) e nisa pa Shaqirin”, deklaroi trajneri zviceran, i cili mori kritika për vendimin e tij për ta lënë në bankinë futbollistin nga Zhegra e Gjilanit. Problemet tek Zvicra janë shfaqur pikërisht para lojës me Kombëtaren e Kosovës, e cila po ashtu ka probleme të brendshme. “Madje, zërat kritikë që e rrethojnë Yakinin që nga ndeshja me Bjellorusinë, nuk kanë gjasa të pakësohen. Atmosfera e zymtë brenda kombëtares nuk ka gjasa të zvogëlohet pas ndeshjes së radhës dështuese. Tani është shtuar një yll i zemëruar i ‘Nati’. Xherdan Shaqiri, sulmuesi më kreativ zviceran, u ul në stol gjatë gjithë lojës. Shaqiri kishte shënuar gola në dy ndeshjet e fundit dhe është Asistuesi më i mirë zviceran në kualifikimet aktuale për Evropian”, shkroi mediumi zviceran “20 Minuten”.

Nuk dihet ende nëse Shaqiri do të jetë titullar apo do të luajë kundër Kosovës të shtunën në Basel.

(Kosova Sot Online )