Verstappen 'mbret' edhe në Las Vegas, Leclerc i bashkohet në podium

  • A.P /
  • 19 November 2023 - 14:10
Verstappen 'mbret' edhe në Las Vegas, Leclerc i bashkohet në podium

Formula 1 mbylli garën e parafundit të këtij edicioni në Botërorin e shpejtësisë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm u zhvillua një nga sfidat më spektakolare të këtij sezoni.

Max Verstappen ishte sërish triumfatori i madh i çmimit të Las Vegasit në SHBA, duke rikuperuar pozicione në krahasim me rivalët dhe duke dhuruar një tjetër fundjavë fantastike.

I pari u nis Charles Leclerc i Ferrarit, i cili siguroi “pole-position”. 26-vjeçari i kokëkuqes italiane nuk e rivalizoi dot deri në fund kampionin e Red Bullit, por ia doli të lërë pas vetës pilotin tjetër të austriakëve, Sergio Perez.

Nga ana tjetër, Carlos Sainz i Ferrarit nuk shkoi më shumë se vendi i gjashtë në këtë pistë. Duke u parakaluar edhe nga Esteban Ocon dhe kanadezi Lance Stroll.

Fundjava e ardhshme do të jetë e fundit e këtij sezoni, me pistën e Abu Dhabit që do të ulë siparin e vitit kalendarik 2023. Ky edicion i Formula 1 nuk kishte shumë histori.

Verdiktet më të rëndësishme u dhanë që në mesin e vitit. Kampionët e padiskutueshëm, Max Verstappen edhe Red Bull u konfirmuan edhe një herë si të pandalshëm. 

(Kosova Sot Online)