Fanellat që luajti Messi në Botëror do të dalin në ankand – shuma që kërkohet kalon çdo imagjinatë

  • S.A /
  • 21 November 2023 - 12:57
Fanellat që luajti Messi në Botëror do të dalin në ankand – shuma që kërkohet kalon çdo imagjinatë

Sothebys pritet të vë në ankand gjashtë fanellat e veshura nga Lionel Messi gjatë fitores së Argjentinës në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar në Katar dhe mendon se ato mund të bëhen koleksioni më i vlefshëm sportiv që është shitur ndonjëherë, me një vlerë potenciale prej më shumë se 10 milionë dollarësh, transmeton "Kosova Sot Online ".

Shtëpia e ankandeve bëri të ditur të hënën se do të nxjerrë në shitje gjashtë nga shtatë fanellat që kapiteni i Argjentinës ka veshur në Katar, duke përfshirë edhe atë që ai kishte veshur në finalen dramatike kundër Francës. Si shumë lojtarë të futbollit, ai shpesh ndërron fanellën e tij me dikë nga skuadra kundërshtare në fund të çdo ndeshjeje, e tija është më e kërkuara.

Duke mundur Francën në një goditje penaltish pas një barazimi 3-3 në Stadiumin Lusail, Argjentina fitoi Kupën e Botës për herë të tretë. Messi shënoi dy nga golat e kombëtares së tij.

Sothebys, e cila u themelua në Londër në vitin 1744, do të ofrojë fanellat e tetë herë fituesit të Topit të Artë ndërmjet 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit. Një ekspozitë falas në selinë qendrore të kompanisë në New York do t’u lejojë publikut të shohë fanellat gjatë datave të ofertës.

Rekordi aktual për një fanellë të veshur në basketboll në ndeshje garuese është ajo e Michael Jordan në finalet e NBA-së të vitit 1998, e cila u shit për 10.1 milionë dollarë në Sothebys në New York në shtator 2022.

Rekordi aktual për një fanellë  të veshur në futboll në ndeshje garuese të futbollit është ajo që Diego Maradona kishte veshur në fitoren e famshme 2-1 të Argjentinës kundër Anglisë në çerekfinalen e 1986, ku ai ka shënuar një gol me dorë, që njihet tashmë me emrin “Dora e Zotit”. Kjo u shit për 9.3 milionë dollarë në Sothebys në Londër në maj 2022. Një pjesë e të ardhurave nga ankandi do të dhurohet për Projekti UNICAS, i udhëhequr nga Spitali i Fëmijëve Sant Joan de Deu në Barcelonë me mbështetjen e Fondacionit Leo Messi, për të përmbushur nevojat e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e rralla.

(Kosova Sot Online )