Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për falsifikim të 61 votave në zgjedhjet e vitit 2017

  • S.A /
  • 21 November 2023 - 13:04
Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për falsifikim të 61 votave në zgjedhjet e vitit 2017

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Refki Ramaj u deklarua i pafajshëm për akuzën se falsifikoi rezultatet e votimit në zgjedhjet e parakohshme të 2017-ës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Ramaj e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami dhe sqarimeve shtesë për aktakuzën nga gjyqtari Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e pranoj fajësinë, mund të ketë ndodhë ndonjë gabim teknik, sepse anëtarët e këshillit të votimit e kanë evidentuar se nuk ka pasur asnjë parregullsi dhe kjo shihet nga libri i votimit që gjendet në shkresat e lëndës”, tha i akuzuari Ramaj.

Në këto rrethana, gjykatësi Beqiri e njoftoi të akuzuarin, se ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh nga dita e sotme.

Fillimisht, i akuzuari Ramaj deklaroi se i ka kuptuar udhëzimet e gjykatës dhe se nuk ka angazhuar mbrojtës. Ndërsa, gjyqtari Beqiri i kërkoi që ta njoftojë gjykatën nëse do të angazhojë mbrojtës me autorizim ose gjykata do t’i angazhojë mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur në prill të 2023-ës, Refki Ramaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit në qendrën e votimit në shkollën fillore të fshatit Vojnikë, në Skenderaj, ka shtuar dhe fshirë votat, të cilat nuk i përgjigjen rezultateve të vërteta. Aktakuza thotë se pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë, është bërë krahasimi i të dhënave, ku është identifikuar ndryshimi i votave dhe pas numërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik, ka larguar votat e disa kandidatëve, ndërsa ua ka shtuar disa kandidatëve të tjerë.

Aty thuhet se nga numri përfundimtar i fletëvotimeve të numëruara i cili ishte gjithsej 61 vota, të shtuara ishin 58 vota dhe të larguara 3 vota.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, par.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej tre deri në pesë vite burgim.

(Kosova Sot Online )