Ballisti i 'çmend' serbët në postimin e UEFA-s: Qetësohuni lepuj

  • A.P /
  • 23 November 2023 - 15:24
Ballisti i 'çmend' serbët në postimin e UEFA-s: Qetësohuni lepuj

Ismail Morina, më mirë i njohur si “Ballisti”, i ka çmendur tifozët serbë me një koment në postimin e UEFA-s që kishte të bënte me kualifikimin e Serbisë në Euro 2024.

Kryefitozi shqiptar, i cili u bë i famshëm më 14 tetor të vitit 2014 kur e lëshoi dronin e famshëm në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, duke shkaktuar trazira dhe ndërprerje të lojës, ka reaguar me një koment, duke i paralajmëruar serbët në një përballje eventuale në Kampionat Evropian.

Pasi u arratis me sukses nga Beogradi në atë kohë, tash tifozi nga Kukësi vendosi t’i provokojë sërish futbollistët dhe tifozët serbë.

“Qetësohuni lepuj, unë jam këtu për ta rregulluar fatin tuaj, mos u brengosni për këtë. Shihemi në fazën eliminatore”, shkroi “Ballisti” në postimin e UEFA-s në Instagram.

Atij iu kundërvunë serbët me disa replika në komentin e tij.

“Ballisti” ishte arrestuar disa herë dhe ishte çuar në arrest shtëpiak.

Shqipëria është në vazon e dytë ndërsa Serbia në atë të katërt, prandaj është edhe e mundshme një përballje mes tyre në Euro 2024. 

(Kosova Sot Online)