Mërgimi i Llapit e lë prapa krahëve lëndimin dhe iu rikthehet golave

  • S.A /
  • 27 November 2023 - 10:49
Mërgimi i Llapit e lë prapa krahëve lëndimin dhe iu rikthehet golave

Mërgim Cernaverni e ka lënë prapa krahëve lëndimin që e kishte pësuar disa muaj më parë.Sulmuesi i ri i Llapit është kthyer aty ku e kishte lënë, duke u treguar një “makineri” e vërtetë e golit, transmeton "Kosova Sot Online".

18 vjeçari e ka rikthyer shkëlqimin me ekipet U19 dhe U-21 të Llapit, ndërsa po vazhdon të ushtrojë dhe të ftohet rregullisht në ekipin e parë në Superligë nga trajneri Tahir Batatina.

Cernaverni ishte lënduar në fund të sezonit të kaluar, i cili për të ishte jashtëzakonisht i suksesshëm pasi ishte shpallur kampion me ekipin U-19 të Llapit, ndërsa vetë ishte super-protagonist me 23 gola të shënuar.

E Mërgimi i Llapit u rikthye në aksion pak javë më parë dhe atë furishëm.

Ai i ka realizuar 5 gola me ekipin U-21 dhe një gol me skuadrën U-19.

“Leëandoëski i Llapit”, në një bisedë me “Gazetën Express” u shpreh i lumtur për rikthimin, ndërsa beson se, pasi ta tregojë veten me ekipin U-21, por edhe me atë U-19, do t’i jepet rasti edhe në skuadrën e parë, ku synon po ashtu t’i tregojë vlerat e tij.

Ai po punon fort për të qenë protagonist tek të rinjtë dhe për ta ndihmuar edhe skuadrën e parë të Llapit, ndërsa nuk e ka fshehur dëshirën dhe objektivin e tij për të luajtur edhe për Kombëtaren A të Kosovës.

Cernaverni ishte grumbulluar në ekipin U-19 të Kosovës nga trajneri Adil Maliqi, por më pas u lëndua.

Sidoqoftë, me paraqitjet që po i bën, futbollisti llapjan mund të ftohet prapë tek “Dardanët e rinj”.

Llapi ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj në vitet e fundit dhe njëri prej tyre mund të jetë edhe Mërgim Cernaverni, të cilin në të ardhmen mund ta shohim në ndonjë klub evropian.

(Kosova Sot Online )