Ancelotti afër rinovimit të kontratës me Real Madridin

  • A.P /
  • 27 November 2023 - 19:10
Ancelotti afër rinovimit të kontratës me Real Madridin

Real Madridi shpreson që trajneri Carlo Ancelotti do të vendosë në letër një zgjatje të re të kontratës përpara Krishtlindjeve, sipas raportimeve të sotme.

Nuk është sekret që gjigantët e La Ligas do të dëshironin që trajneri katër herë fitues i Ligës së Kampionëve të zgjaste qëndrimin e tij në “Santiago Bernabeu”, por thuhet se ata po përballen me konkurrencën nga Kombëtarja e Brazilit, që po synon të emërojë italianin në pozitën e selektorit.

Në faza të ndryshme të vitit 2023, Ednaldo Rodrigues, President i CBF, ka këmbëngulur që Ancelotti do të emërohej si përzgjedhës i ri i Brazilit përpara edicionit 2024 të Copa America.

Megjithatë, sipas raportimeve nga “Calciomercato”, 64-vjeçari ka vendosur që Madridi të jetë zgjedhja e tij e parë. 

Mediumi italian gjithashtu i referohet raporteve të fundit nga gazeta spanjolle “Relevo”, të cilat tregojnë se një rinovim me “Los Blancos” është afër. 

Në fakt, sipas raportimeve të së hënës, Ancelotti është i prirur t’i thotë “Po” klubit nga Madridi në javët e ardhshme dhe se objektivi i klubit është që të ketë një kontratë të re të zyrtarizuar përpara periudhës së Krishtlindjeve. 

Besohet se Ancelotti do të zgjasë kontratën e tij për dy vjet, duke e lidhur atë me klubin deri në verën e vitit 2026. 

(Kosova Sot Online)