Dukagjini “e gozhdon” mesin e tabelës, Fushë Kosovës i komplikohen punët

  • S.A /
  • 28 November 2023 - 15:15
Dukagjini “e gozhdon” mesin e tabelës, Fushë Kosovës i komplikohen punët

Dukagjini i është rikthyer fitores pas humbjes së pësuar në xhiron e kaluar nga Ballkani.Skuadra nga Klina arriti t’i marrë pikët e plota në udhëtim te Fushë Kosova duke fituar me rezultat të pastër 3:0, në ndeshjen që e kompletoi xhiron e 15-të të Superligës së futbollit, transmeton "Kosova Sot Online".

Një gol në pjesën e parë e një dhe dy në të dytën ishin të mjaftueshëm për tri pikët që i mori ekipi i Armend Dallkut.

Dukagjini kaloi në avantazh në minutën e 17-të, me autor Redon Sylën.

Me të filluar pjesa e dytë, më saktë në minutën e 49-të, mysafirët realizuan edhe njëherë.

Kësaj radhe në listën e realizatorëve hyri Bujar Shabani për ta realizuar golin e qetësisë.

Kurse, vulë këtij takimi i dha Altin Merlaku, i cili e kompletoi tregolëshin e ekipit gjelbër e bardhë në minutën e 81-të. Kjo sfidë ishte e paraparë të luhej të shtunën e kaluar, por për shkak të kushteve atmosferike ishte shtyrë për sot. Pas kësaj fitoreje, Dukagjini tash i ka 20 pikë, aq sa i ka edhe Malisheva, me të cilën i ndan pozitat pesë e gjashtë. Në anën tjetër, Fushë Kosova, e cila e pësoi humbjen e tretë në pesë javët e fundit, mbetet në pozitën e parafundit me 10 pikë. Në xhiron e ardhshme, Fushë Kosova do ta ketë një udhëtim të vështirë pasi e pret Ballkani, kurse Dukagjini do t’i bëjë konak Prishtinës. 

(Kosova Sot Online )