Daja pas humbjes ndaj Plzenit: Kemi pasur probleme

  • A.P /
  • 30 November 2023 - 21:19
Daja pas humbjes ndaj Plzenit: Kemi pasur probleme

Ballkani ka pësuar humbjen e radhës në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, kampioni i Kosovës pësoi minimalisht 1:0 nga liderja e grupit, Viktoria Plzen.

Pas ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja u shpreh se mungesat ndikuan në këtë humbje.

“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë, kemi pasur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë në i kishim tre lojtarë të lënduar. Në një moment të tillë kur kërkon të freskosh ekipin në ato pozita ku edhe mundesh ta kërkosh fitores nuk ke opsione. Në fund fare, është pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, jo vetëm për ekipin por sidomos për lojtarët si Dellova, Zyba e Kuç që nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të angazhimeve me përfaqësuese. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit, na bëri të ndryshojmë gjërat. Nuk duhet harruar se përball kishim një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Evropë”, është shprehur Daja.

(Kosova Sot Online)