Shpërthimi i Mourinhos ngre pikëpyetje për punën e tij te Roma

  • S.A /
  • 02 December 2023 - 11:37
Shpërthimi i Mourinhos ngre pikëpyetje për punën e tij te Roma

Mediat italiane ngrenë pikëpyetje mbi drejtimin e Romës nga Jose Mourinho pas shpërthimit të “Special One”, pas barazimit 1:1 me Servette në Ligën e Evropës, transmeton "Kosova Sot Online".

Barazimi i Romës në Gjenevë të enjten e mbajti atë në vendin e dytë në Grupin G, dy pikë prapa Slavia Pragës, që do të thotë se Giallorossi mund të detyrohen të luajnë në fazën eliminatore të Ligës së Evropës kundër një klubi të Ligës së Kampionëve.

Mourinho ishte shumë kritik ndaj qëndrimit të lojtarëve të tij pas ndeshjes, duke thënë se “disa kishin qenë sipërfaqësor”.

Shpërthimi i Mourinhos është analizuar nga “Sky Sport Italia” dhe korrespondenti i tyre në kryeqytet, Paolo Assogna.

“Mourinho ka lindur me një mentalitet fitues, kështu që nëse në sezonin e tij të tretë, ai nuk mund të transmetojë ADN-në e tij te ekipi, është një problem”, tha gazetari të premten.

“Cila është çështja? Nuk është ai në gjendje të kuptojë veten apo është skuadra që ka kufij dhe nuk mund të shkojë përtej një niveli të caktuar përqendrimi dhe qëndrimi?”, shtoi ai.

Sigurisht, përgjigja duhet të vijë shpejt sepse Roma ka disa takime kyçe në Serie A gjatë javëve të ardhshme. Romakët do të takohen me Fiorentinan, Bolognan, Napolin dhe Juventusin para fillimit të vitit të ri, ndërsa vitin 2024 do ta fillojnë me një ndeshje në shtëpi kundër Atalantas dhe një udhëtim për t’u përballur me Milanin .

“Pyetja e madhe është ende pse ky ekip nuk mund të përmirësohet në aspektin e mentalitetit?” pyeti Assogna.

E ardhmja afatgjate e portugezit në “Olimpico” mbetet e pasigurt pasi kontrata e tij skadon në qershor dhe nuk ka raportime për negociata të kontratës me pronarët e Romës deri më tani. 

(Kosova Sot Online )