Futbollisti brazilian rrezikohet me dënimin e rëndë, vendimi final për Dani Alvesin merret në muajin shkurt

  • S.A /
  • 07 December 2023 - 11:43
Futbollisti  brazilian rrezikohet me  dënimin e rëndë, vendimi final për Dani Alvesin  merret në muajin shkurt

Dani Alves do ta mësojë shumë shpejt vendimin final të gjykatës për dënimin e tij, transmeton "Kosova Sot Online".

Futbollisti brazilian po akuzohet për përdhunimin e një 23 vjeçareje në një klub nate në Spanjë. Gjykata e Barcelonës do ta marrë vendimin për yllin e dikurshëm brazilian në shkurt të vitit 2024.

Por, kjo seancë e paraparë pas dy muajsh mund të pezullohet, në rast se arrihet ndonjë marrëveshje mes dy palëve.

“Avokati i të dëmtuarës mohon se ka marrëveshje për dënimin që Dani Alves duhet ta vuajë. Madje, ai shton se në këtë lloj krimi seksual nuk ka dëmshpërblim financiar për ta lehtësuar dëmin personal. E dimë që kërkesa e prokurorit është 9 vite burg, plus 10 të tjera mbikëqyrje dhe një urdhër ndalimi për disa vite. Alves donte ta arrinte një marrëveshje për 3 vjet, por avokatja e ‘viktimës’, Ester García, nuk pranon më pak se 4 vjet”, shkruajnë mediat katalunase.

Gjykata e Apelit të Barcelonës, nga ana e saj, e ka refuzuar kërkesën e tretë të futbollistit, i cili ka përfunduar prapa grilave që nga 20 janari i këtij viti.

Mbrojtja e ish-futbollistit të Barcelonës argumentoi se “kanë kaluar tre muaj nga vendimi i mëparshëm për refuzimin e lirimit të tij” dhe se “është paguar shuma prej 150.000 euro për t’ia dorëzuar ‘viktimës’, gjë që duhej të kishte sjellë aplikimin e rrethanës lehtësuese”.

(Kosova Sot Online )