Tare paralajmëron Italinë: Kujdes nga Shqipëria

  • A.P /
  • 11 December 2023 - 19:07
Tare paralajmëron Italinë: Kujdes nga Shqipëria

Igli Tare është deklaruar së fundmi rreth grupit të Shqipërisë për në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Kombëtarja shqiptare është shortuar në Grupin B, bashkë me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Tare foli në veçanti për “Azzurrët”, duke thënë se ata duhet pasur kujdes nga “Kuqezinjtë”.

Ai gjithashtu foli edhe për lidhjet e shqiptarëve me italianët.

“Tare për këtë do të bëjë tifo? I dyzuar, por jo sa për të mbështetur Italinë. Tre të katërtat e mia do të mbështesin Shqipërinë, çereku Italinë. Kjo, sepse lidhja mes nesh, shqiptarëve dhe vendit tuaj është shumë e fortë. Do të shihni, atë ditë do të jenë 80 mijë tifozë që do të këndojnë himnin e Mamelit, mes tyre edhe shqiptarë”, tha fillimisht ai për “Corriere della Sera”.

Tutje, Tare shtoi: “Kjo ka ndodhur tashmë në Genoa, 9 vite më parë. Një marrëdhënie e ngushtë na lidh me Italinë, e cila është gjithashtu e vështirë të shpjegohet për shkak të asaj se sa e thellë dhe e rrënjosur është. Pastaj kujdes, kombëtarja jonë po rritet shumë dhe do të jetë një ndeshje e vështirë për Italinë, Spalletti e di mirë këtë gjë”.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë të grupit ndaj Italisë, më 15 qershor. 

(Kosova Sot Online)