Sylvinho renditet mes trajnerëve më të mirë në botë

  • A.P /
  • 12 December 2023 - 14:16
Sylvinho renditet mes trajnerëve më të mirë në botë

Sylvinho ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Kombëtaren shqiptare, të cilën arriti ta kualifikonte në Kampionat Europian pas një fushate kualifikuese fantastike.

Nën drejtimin e trajnerit brazilian, kuqezinjtë arritën të përfundonin në vendin e parë në grup duke i lënë prapa Kombëtaret si Republika Çeke e Polonia, ndërkohë që e siguruan pjesëmarrjen e dytë historikë në Europian, pas asaj të vitit 2016.

E kjo punë fantastike e ish-futbollistit të Barcelonës dhe të Manchester Cityt nuk është lënë pa u vërejtur as nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe e Statistikave të Futbollit.

IFFHS e ka publikuar listën e 20 trajnerëve më të mirë të vitit 2023 aktualisht, ku ish-përfaqësuesi brazilian e zë një vend mjaft të kënaqshëm.

Më saktësisht, Sylvinho e gjen veten në vendin e pestë në këtë listë prestigjioze, duke lënë prapa emra të mëdhenj, përfshirë këtu edhe kampionin e botës me Argjentinën, Lionel Scaloni.

Përpara trajnerit brazilian gjenden vetëm Luis de la Fuente i Spanjës, Steve Clarke i Skocisë, Didier Deschamps i Francës dhe Gareth Southgate i Anglisë.

Më poshtë mund ta shihni listën e 20 trajnerëve më të mirë të vitit 2023 aktualisht, sipas IFFHS.

(Kosova Sot Online)