Referi i rrahur nga presidenti i Ankaragucu zbulon detaje: Më tha “do të të vras”

  • S.A /
  • 13 December 2023 - 08:56
Referi i rrahur nga presidenti i Ankaragucu zbulon detaje: Më tha “do të të vras”

Referi i sulmuar fizikisht në futbollin turk, Halil Umut Meyer ka rrëfyer për makthin që e përjetoi në ndeshjen e ligës elitare turke.Meyer u grushtua nga presidenti Ankaragucu, Faruk Koca, ndërsa pasi përfundoi i shtrirë në tokë, atë e sulmuan me shqelma në kokë dhe në fytyrë edhe zyrtarë të tjerë të klubit nga Ankaraja, transmeton "Kosova Sot Online".

Si rezultat, referi fatkeq përfundoi në spital, ndërsa tre zyrtarë të klubit i arrestuan, përfshirë këtu edhe kryetarin e Ankaragucu.

I shtrirë në spital, Meyer mori thirrje edhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili i uroi shërim të shpejtë, shkruajnë mediat turke.

E referi insiston se nuk do ta lë këtë punë me kaq pasi e ka ndërmend t’i ndjek procedurat ligjore ndaj atyre që e rrahën.

“Faruk Koca, president i Ankaragucusë më goditi me grusht nën syrin e majtë dhe unë rashë në tokë”.

“Kur isha në tokë, të gjithë njerëzit më goditën disa herë në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit. Faruk Koca para të gjithë bashkëpunëtorëve të mi më tha: ‘Do të të vras’”.

“Do të bëj denoncim kundër Faruk Kocas dhe personave të tjerë që më rrahën. Nuk dua të bëj kompromis. Kjo është gjithçka që kam për të thënë.”

Referët në Turqi janë të vendosur: nëse sulmuesit e kolegut të tyre nuk marrin dënime drastike, nuk do të referojnë më, duke sugjeruar kështu që të angazhohen gjyqtarë të huaj.

Federata Turke vendosi që t’i pezullojë krejt ligat e futbollit turk pas sulmit të rëndë që e pësoi referi Halil Umut Meyer. 

(Kosova Sot Online )