Daja: S’kemi çfarë të humbim

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 18:40
Daja: S’kemi çfarë të humbim

Ballkani nesër do ta zhvillojë ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Dinamo Zagrebit në Kroaci në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Fitorja potenciale e Ballkanit nesër dhe barazimi ose humbja e Astanas do të bënte që kampioni i Kosovës të kualifikohej në fazën e nokautit.

E trajneri i Ballkanit, Ilir Daja tha se nuk kanë çfarë të humbin dhe do të japin gjithçka nesër.

“Kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore. Por, ne do të përdorim të gjitha forcat tona për të bërë një paraqitje të mirë në Zagreb dhe për të fituar”, tha Daja në konferencën për media.

(Kosova Sot Online)