“Brenda ose jashtë”, Ballkani shkon “all-in” sonte në ndeshjen vendimtare në Ligën e Konferencës

  • S.A /
  • 14 December 2023 - 09:19
“Brenda ose jashtë”, Ballkani shkon “all-in” sonte në ndeshjen vendimtare në Ligën e Konferencës

Ballkani do ta zhvillojë sonte ndeshjen vendimtare të këtij edicioni në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës e ka marrë dje rrugën drejt Kroacisë, ku sonte do të përballet me Dinamo Zagrebin në kryeqytetin kroat, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ekipi Portokalli do të shkojë “all-in” sonte në stadiumin “Maksimir” pasi vetëm fitorja do t’i kryente punë për ta kaluar fazën e grupeve të kësaj gare, natyrisht edhe varërisht nga rezultati i ndeshjes tjetër të grupit.

Aktualisht, Dinamo është e dyta në tabelë me 6 pikë, kurse Ballkani i katërti dhe i fundit me dy pikë më pak.

Me një fitore eventuale në Zagreb dhe me kusht që Astana nuk do të fitojë kundër Viktoria Plzenit në duelin tjetër të grupit, Ballkani mund ta sigurojë kualifikimin historik në fazën tjetër të Europa Conference League.

Trajneri Ilir Daja është i vetëdijshëm se kjo lojë është “brenda ose jashtë” për ekipin e tij, prandaj kërkon nga lojtarët që ta japin krejt potencialin e tyre për ta bërë mrekullinë në Zagreb.

“E kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore. Por, ne do të përdorim të gjitha forcat tona për të bërë një paraqitje të mirë në Zagreb dhe për të fituar”, tha Daja mbrëmë në konferencën për media. Kjo është hera e dytë që ekipi kosovar e arrin fazën e grupeve të kësaj gare, që është një sukses i jashtëzakonshëm. Por, tash ambiciet dhe apetitet e ekipit Portokalli janë rritur dhe ata synojnë të shkojnë përtej limiteve…

(Kosova Sot Online )