Zbulohen dy detaje të reja që kontribuan në aksidentin e Schumacherit në alpet franceze

  • S.A /
  • 18 December 2023 - 11:52
Zbulohen dy detaje të reja që kontribuan në aksidentin e Schumacherit në alpet franceze

Pothuajse dhjetë vjet kanë kaluar nga aksidenti i Michael Schumacher në alpet franceze dhe tashmë në publik janë zbuluar detaje të papublikuara më parë që kanë ndikuar që ish-piloti i Ferrarit dhe Merecedes të binte në koma.

Më 29 dhjetor 2013, legjenda gjermane u rrëzua duke bërë ski dhe lëndoi rëndë kokën dhe deri më sot dihet shumë pak për gjendjen e tij shëndetësore.

Ekipi gazetaresk i ARD-së u kthye në vendin e aksidentit dhe gazetari Jens Gideon regjistroi pesë episode të podcast-it “Schumacher”. në të cilën ai heton rrethanat e tragjedisë. Gideon vizitoi vendin ku Schumacher pati një aksident dhe një nga të intervistuarit e tij në podcast ishte një instruktor skish atje.

Ai pranoi të fliste, por me pseudonimin Andre, dhe zbuloi detaje të panjohura më parë për aksidentin. Më herët dihej se në pistën e Meribelit atë ditë nuk kishte borë të mjaftueshme dhe Andre gjithashtu zbuloi dy detaje të reja që publiku nuk i dinte, të cilat ishin vendimtare për gjendjen aktuale shëndetësore të gjermanit legjendar.

“Kur u rrëzua, punonjësit e urgjencës që po e ndihmonin, bënë një gabim në vlerësimin e situatës. Schumacher iu duk i vetëdijshëm dhe ata vendosën ta transferonin në një klinikë të vogël në Moutiers. Por në helikopter, gjendja e Schumacher u përkeqësua, ai humbi ndjenjat dhe më pas mjekët vendosën ta devijojnë helikopterin në Grenoble në një klinikë shumë më të mirë. Nëse do ta kishin transferuar menjëherë në Grenoble, do të ishte operuar shumë më shpejt dhe ndoshta rezultati do të ishte ndryshe”, deklaroi Andre.Një tjetër gjë që u zbulua ishte se Schumacheri mbante një kamerë GoPro në helmetën e tij.

“Ishte ajo kamera që rriti presionin në kokë gjatë goditjes”, shpjegoi ai.

Andre gjithashtu përmendi se gruaja e Schumacher, Corinna donte të publikonte regjistrimin nga ajo kamera, por në fund ajo hoqi dorë.

(Kosova Sot Online )