Ancelotti ka folur për situatën aktuale tek Real Madridi

  • A.P /
  • 02 January 2024 - 15:45
Ancelotti ka folur për situatën aktuale tek Real Madridi

Carlo Ancelotti ka folur gjerë e gjatë për situatën aktuale tek Real Madridi, përfshirë këtu lojtarët që janë në përfundim të kontratës, për mbrojtjen madrilene, për eksperiencën e tij në “Santiago Bernabeu”, për Kylian Mbappen dhe për ofertën që e kishte nga Kombëtarja e Brazilit, të cilën në fund e refuzoi pasi e vazhdoi kontratën me gjigantin spanjoll deri në vitin 2026.

“E dua Real Madridin dhe dua të rri këtu. Mund të rri këtu edhe pas karrierës si trajner. Kisha kontakte me Brazilin, natyrisht – por gjithçka kishte mbetur ‘stand-by’ pasi gjithmonë isha duke e pritur Real Madridin. Jam i lumtur të qëndroj këtu”, deklaroi fillimisht trajneri italian në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme me Mallorcën në La Liga, shkruan “Gazeta Express”.

Toni Kroos, Nacho e Luka Modrić kanë kontratë vetëm deri në fund të qershorit të këtij viti.

“Ata mund të vendosin se çka duan të bëjnë. Ju takon atyre të vendosin, ua kemi dhënë të drejtën të vendosin vetë. E ardhmja është tashmë në rrugën e duhur me shumë talente dhe Endrick do të vijë shumë shpejt po ashtu”, shtoi “Don Carlo”.

Ai u pyet edhe për Kylian mbappen, i cili nga vera e ardhshme do të jetë lojtar i lirë pasi do t’i skadojë kontrata me Paris Saint-Germainin.

“Nuk do të komentoj për këtë çështje. S’kam koment, ju duhet ta dini se ne nuk flasim për këtë”, nënvizoi ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Napolit dhe Evertonit.

Kohëve të fundit Realit iu lëndua njëri prej mbrojtësve kryesorë, David Alaba.

Por, përkundër mungesave në qendër të mbrojtjes, Ancelotti nuk e sheh të nevojshëm transferimin e ndonjë mbrojtësi.

“Ne nuk po mendojmë ta transferojmë ndonjë qendërmbrojtës në këtë moment. Ne i kemi Nachon dhe Rudigerin si qendërmbrojtës. Gjithashtu, i kemi edhe Tchouamenin e Carvajalin, të cilët mund të luajnë si qendërmbrojtës”, përfundoi Ancelotti, i cili zbuloi Vinicius Jr, Carvajal e Arda Güler më në fund janë rikthyer, kurse Camavinga e Mendy do të jenë gati shumë shpejt. 

(Kosova Sot Online)