PSG-ja festoi dhe u bë ekipi më i trofeshëm në Ligue 1

  • S.A /
  • 03 January 2024 - 09:01
PSG-ja festoi dhe u bë ekipi më i trofeshëm në Ligue 1

Paris Saint-Germaini u shpall kampion i Francës në sezonin 2022/23. Parisienët ishin liderë që nga xhiroja e parë deri tek e fundit në sezonin paraprak duke triumfuar në fund me plot meritë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ata megjithatë u rrezikuan vazhdimisht nga Lensi, i cili e mbylli sezonin me vetëm një pikë më pak, 84 karshi 85 të parisienëve.

PSG-ja e siguroi titullin në xhiron e parafundit të sezonit në barazimin 1:1 kundër Strasbourgut.

Me këtë rast, Kylian Mbappe me shokë e siguruan trofeun e 11-të të kampionit në Ligue 1 duke u bërë klubi më i trofeshëm në kampionatin francez.

Pasi triumfuan në vitet 1986, 1994, 2013, 2014, 2015, 2016, 2018, 2019, 2020 e 2022, kryeqytetasit ishin më të mirët edhe më 2023.

Që kur u krijua në vitin 1970-të, PSG-ja i ka fituar 48 trofe, prej tyre 30 nën drejtimin e Qatar Sports Investments, të cilët e morën kontrollin e klubit në vitin 2011.

Ndërkohë, Coupe de France i takoi Toulouse, i cili e mposhti ekipin Nantes në finale me rezultat të thellë, 5:1.

Kjo ishte hera e parë që Toulouse e fitoi Kupën e Francës në histori të këtij klubi.

Ndeshja e Trophee des Champions, respektivisht Superkupa e Francës mes kampionit PSG dhe fituesit të Kupës, Toulouse do të luhet më 3 janar të këtij viti.

(Kosova Sot Online )