Prishet festa e Skriniar, mbrojtësi rrezikon të mbyllë sezonin para kohe

  • A.P /
  • 04 January 2024 - 19:13
Prishet festa e Skriniar, mbrojtësi rrezikon të mbyllë sezonin para kohe

Milan Skriniar fitoi trofeun e tij të parë me Paris Saint Germain, pikërisht Superkupën e Francës përballë Toulouse, megjithatë festa u venit shpejt për sllovakun që iu bashkua francezëve verën e kaluar.

Një dëmtim në minutën e 71-të bëri që Skriniar të largohet nga fusha para kohe, teksa pas ekzaminimeve paraprake, gjasat janë që mbrojtësi sllovak të ketë mbyllur sezonin.

Momentalisht nuk është evidentuar frakturë dhe klubi parizien ka njoftuar se në rastin më të mirë, Skriniar do të kthehet në fushë pas mesit më marsit. Megjithatë në ditët në vijim do të ketë një tjetër ekzaminim mjekësor, për të parë nëse do të mund të shmanget operacioni.

Nëse konfirmohet skenari i dytë, atëherë sllovaku do të qëndrojë jashtë fushave deri në fund të sezonit, për t’u bashkuar me skuadrën vetëm pas mesit të korrikut për fazën përgatitore të sezonit të ardhshëm.

Një lajm vërtetë i keq ky jo vetëm për sllovakun Skriniar, por edhe për trajnerin Luis Enrique, që do të duhet të bëjë pa një prej titullarëve më të rëndësishëm të formacionit.

(Kosova Sot Online)