Ndeshja kryesore e basketbollit zhvillohet në Mitrovicë

  • A.P /
  • 05 January 2024 - 18:02
Ndeshja kryesore e basketbollit zhvillohet në Mitrovicë

Pas një pushimi për shkak të festave, viti i ri 2024 në basketbollin kosovar nis me xhiron e 16-të të Superligës.

Ky vit nis në mënyrën më të mirë me derbin më të madh të basketbollit kosovar, “El Classion” mes Trepçës e Sigal Prishtinës.

Vitin e ri mitrovicasit e nisin si lider, janë të parët me 13 fitore e dy humbje, derisa prishtinasit janë të tretit me 10 fitore e pesë humbje.

Deri më tani, dy ndeshje janë luajtur mes njëra tjetrës këtë edicion, e që të dyja i ka fituar Trepça.

Xehetarët janë në një seri fantastike, nuk dinë për humbje tash e tetë ndeshje.

Edhe Prishtina ka rezultate të mira javëve të fundit, ka pesë fitore rresht. Kjo përballje luhet në palestrën “Minatori” të shtunën nga ora 17:00.

Ekipi i dytë i tabelës, Peja e nis vitin në udhëtim te Prizrenit, të dielën nga ora 19:00.

Pejanët hyjnë në ndeshje për fitoren e tretë radhazi, e prizrenasit në kërkim të rikthimit tek fitorja, pas humbjes javën e kaluar.

Nga një fitore kanë secili ekip në dy ndeshjet e këtij sezoni mes njëra tjetrës.

Peja ka bilanc prej 11 fitoreve e 4 humbjeve, kurse Prizreni është i gjashti me pesë fitore e 10 humbje.

Golden Eagle Ylli synon fitore në shtëpi ndaj ekipit më të dobët në ligë e që është Istogu.

Ylli shihet favorit dhe momentalisht është i katërti me nëntë fitore gjashtë humbje, kurse Istogu e mbyll renditjen me vetëm një fitore e plot 14 humbje.

Ndeshje interesante na pret në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi e pret Vëllaznimin.

Gjakovarët qëndrojnë më mirë në tabelë, janë të pestit me shtatë fitore e tetë humbje, kurse Bashkimi ka befasuar për të keq këtë edicionin, është i parafundit me katër fitore e 11 humbje.

1 me 1 është bilanci i fitoreve mes njëra tjetrës këtë edicion.


(Kosova Sot Online)