Pesë shkarkime radhazi, a është më “Special” Jose Mourinho!

  • S.A /
  • 16 January 2024 - 15:38
Pesë shkarkime radhazi, a është më “Special” Jose Mourinho!

Një Champions i fituar në mënyrë surprizë me Porton në sezonin 2003-2004, dy tituj kampionë radhazi me Chelsean në Angli dhe Tripleta e famshme me Interin në 2010-ën. Ishin këto sukseset që katapultuan Jose Mourinhon mes trajnerëve më të mirë dhe e bënë ashtu siç ai preferonte të vetëquhej, “Special One”.Megjithatë periudha pas 2010-ës nuk solli të njëjtat konfirmime për portugezin, që është shkarkuar nga të pesë klubet që ka drejtuar në 14 vitet e fundit, transmeton "Kosova Sot Online".

I pari që i tregoi derën ishte Reali i Madridit, që vendosi të mos respektojë kontratën e vlefshme deri në 2016-ën dhetl ta shkarkojë portugezin në qershor të 2013-ës, pas përplasjeve të Mourinhos me senatorë si Casillas e Sergio Ramos.

Megjithatë asokohe portugezi qëndroi shumë pak pa punë, pasi nisi sezonin e ri menjëherë në pankinën e Chelsea-t, ku u rikthye vrullshëm dhe udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Premier League.

Edhe aventura e dytë te londinezët përfundoi me shkarkim, pasi më 17 dhjetor të 2015-ës Abramovich vendosi t’i japë duart portugezit.

Vetëm 6 muaj pushim dhe Mourinhos iu besua ringritja e Manchester United, një tjetër mision në të cilin protugezi dështoi.

Shumë tensione një EFL Cup, një FA Cup dhe një Europa League e fituar, që gjithsesi nuk shërbyen për Mourinhon, i cili u shkarkua më 18 dhjetor të 2018-ës.

Thuajse një vit më vonë, tekniku luzitan u rikthye në Londër, por këtë herë te Tottenham, në një aventurë që zgjati për thuajse 18 muaj, pasi u shkarkua në Prill të 2021-shit, duke mos fituar asgjë dhe kjo padyshim mund të cilësohet eksperienca më e vështirë e tij. Në verën e 2021-shit portugezi u rikthye në Serinë A, aty ku bëri historinë me Interin, por këtë herë për të drejtuar Romën. Impakti ishte i jashtëzakonshëm, me portugezin që riktheu entuziazmin në tribuna e dhomat e zhveshjes dhe verdhekuqtë që u rikthyen të fitojnë trofe pas shumë vitesh, pasi triumfuan në finalen e Conference League në Tiranë me rezultatin 1-0 ndaj Feyenoord. Një vit më vonë, një tjetër finale Europiane, këtë herë në Europa League, por e humbur ndaj Sevillas dhe më pas shumë tension e polemika, shkruan SS.

Sezoni aktual ishte edhe i fundit në kontratën mes Romës dhe Mourinhos, por rezultatet negative dhe kompromentimi i objektivave, bëri që drejtuesit ta shkarkojnë pikërisht të hënën e 16 janarit, për të provuar të shkundin disi ambientin për pjesën e mbetur të sezonit.

Plot pesë shkarkime radhazi për Jose Mourinhon, që nuk fiton një trofe të rëndësishëm (kampionat apo Champions) që prej vitit 2016, sigurisht që nuk janë një CV e mirë, megjithatë portugezi mbetet ende një ‘mall i kërkuar’ në treg, sidomos në atë arab.

(Kosova Sot Online )