Luiza Gega: Ministria s’më jep hakun, jam e zhgënjyer

  • A.P /
  • 17 January 2024 - 14:03
Luiza Gega: Ministria s’më jep hakun, jam e zhgënjyer

Luiza Gega prej shumë vitesh me radhë po mban një nivel të frikshëm, duke shënuar rezultate të jash tëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Vetëm një vit e gjysmë më parë ajo mahniti Europën, teksa fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian, triumf që erdhi me rekord para 70 mijë shikuesve në stadiumin e Mynihut në një garë prestigjioze si ajo e 3000 metrave me pengesa.

Por atletja kuqezi ka vijuar të mbajë një nivel të pabesueshëm, duke e tejkaluar veten e saj në rezultate edhe në sezonin që lamë pas, ndërsa tashmë po përgatitet për Lojërat Olimpike, si e vetmja sportiste shqiptare që ka siguruar kualifikimin me normë, së bashku me mundësin Zelimkhan Abakarov (sportist rus i natyralizuar me pasaportë shqiptare). Mirëpo, viti 2024 nuk ka nisur ashtu sikurse do të dëshironte për kampionen kuqezi, e cila nuk ka marrë shpërblimet që i takojnë sipas ligjit për disa nga arritjet e saj, duke u ndeshur me probleme në Ministrinë e Arsimit dhe Sportin, institucion, të cilin në fakt duhet ta kishte në krah për ti shërbyer dhe jo për ti nxjerrë pengesa dhe interpretime absurde ligjore.

Teksa ka pritur dhe shpresuar më shumë se 1 vit e gjysmë në zgjidhjen e këtyre ngërçeve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Luiza Gega ka shprehur zhgënjimin e saj për situatën e krijuar. Luiza shpjegon me detaje përplasjet që ka pasur me ministrinë, duke nisur nga refuzimi i shpërblimit për medaljen ballkanike, deri te rekordi ballkanik që i mohon shteti shqiptar, për të vijuar me 13 rekorde kombëtare që i sfumon për momentin VKM-ja e çuditshme. Gega flet gjithashtu edhe për një premtim që i bëri kryeministri Rama, ndërsa kritikon edhe disa qëndrime të papranueshme të zv.ministrit të MAS, Endrit Hoxha.

Luiza, si zakonisht edhe ky fillim viti ju gjen në grumbullim. Si po shkon faza përgatitore?

Sigurisht që edhe ky vit do të më gjente në grumbullim, sepse kemi një vit shumë të rëndësishëm, duke qenë se janë edhe Lojërat Olimpike. Në fakt 10 vitet e mia të fundit kanë qenë në grumbullime, sidomos në këtë periudhë në Kenia, kjo edhe për shkak të të ftohtit si dhe të lartësisë. Faza përgatitore po shkon shumë mirë, këtë vit e kemi ndryshuar pak për ti paraprirë ndonjë dëmtimi që mund të ndodhë, pra për të qenë le të themi më vigjilent dhe më të sigurt që ta sjellim formën më të mirë në muajt qershor, korrik.

Në këto muaj kam edhe dy aktivitet më të mëdha, Lojërat Olimpike dhe Kampionatin Europian, kështu që stërvitjet vijojnë normalisht dhe po bëjmë shumë volume. Jam e kënaqur në fakt, pasi po reagoj shumë mirë. Ndonjëherë kapem te mosha, por rezultatet, stërvitjet dhe garat tregojnë që nuk ka lidhje, kështu që më pëlqen shumë kjo pjesë, pasi dua të shikoj se ku i kam limitet dhe sigurisht që kam shumë dëshirë dhe po përpiqem fort që limitet, pra maksimumi im, të jenë pikërisht në Lojërat Olimpike.

Në një postim të bërë nga ju së fundmi në rrjetet sociale keni ngritur problemin e shpërblimeve, me ministrinë që refuzon t’u japë shpërblimin e një aktiviteti, ku organizatorët nuk kanë bërë kontrolle dopingu…

Në fakt nuk do të doja që të arrija në këtë pikë dhe nuk do të doja vërtetë që të mërzitesha edhe në këtë formë. Jam para aktiviteteve shumë të rëndësishme dhe dua që të gjitha energjitë dhe fokusin tim ta kem në stërvitje, për të duruar qoftë lodhjet dhe për të pasur më të qartë dhe më të sigurt objektivin se ku dua të mbërrij. Por kam një vit e gjysmë që kam pritur dhe nuk kam folur, duke shpresuar se gjërat do të ndryshojnë. Këtu ka disa pika dhe nuk është vetëm ajo që unë kam shprehur në “Instagram”, pasi ajo ishte vetëm pika e fundit, pas përgjigjes që më erdhi nga ministria.

Më konkretisht, për cilin aktivitet bëhet fjalë?

Në Kampionatin Ballkanik të krosit, garë ku dola e para. Kërkohet që nga federata, trajneri ose sportisti, duhet bërë një kërkesë për shpërblimin dhe në rastet ku bëhet kontroll dopingu, ti duhet t’ia bashkëngjitësh kërkesës për të marrë shpërblimin. Ndërsa për këtë rast federata kishte sqaruar se nuk ka kontroll, sepse nuk kishte pasur nga organizatorët, duke u treguar shumë e sinqertë në këtë pikë. Na vjen një përgjigje që nuk mund të merret shpërblimi, duke qenë se aty nuk ka pasur fare kontroll dopingu, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë që e përcakton këtë gjë.

Si funksionojnë përgjithësisht testet e dopingut në eventet e atletikës?

Jo më larg se në muajin qershor unë u shpalla kampione e trefishtë e Ballkanit, sigurisht edhe aty nuk bëra kontroll, sepse nuk mu kërkua diçka e tillë. Por asnjë sportist besoj, sidomos në nivelin tim, nuk shkon me idenë se çfarë do të ketë, do të bëhet kontroll, apo jo. Unë shkoj me objektivin thjesht për të arritur qëllimin tim dhe pastaj është agjencia e antidopingut që ka për detyrë të mendojë nëse unë duhet të futem apo jo në test. Kjo ndodh edhe në aktivitete shumë të mëdha si në Diamond League, që ndoshta mund të dalësh edhe i pari dhe nuk të zgjedhin për tu futur në kontroll, ndërsa mund të përzgjidhet vendi i tretë, sepse kështu e mendojnë ata. Janë ata që kanë për detyrë ta monitorojnë, si e mendojnë apo e përcaktojnë dhe jo unë, pra jo sportisti. Që në momentin nëse unë do të mendojë që po shkoj në një kompeticion që ka aspo nuk ka teste, që aty besoj që vdes motoja më e rëndësishme për sportin, siç është loja e pastër dhe e ndershme. Kështu që vërtetë ndihem shumë e zhgënjyer, sidomos nga ajo përgjigje.

Ndërkohë, ju gjatë kësaj periudhe jeni testuar si zakonisht, teksa kontrollin më të fundit për doping e publikuat vetëm pak ditë më parë?

Që prej vitit 2013 jam një nga sportistet e vetme për kaq vite me radhë që monitorohem nga agjencia e botërore e antidopingut, duke qenë se jam në këto nivele. Gjithmonë kam qenë e gatshme në çdo sekondë, kur më është kërkuar për të kryer të gjitha testet që ata vendosin, si nga Agjencia Ndërkombëtare apo edhe nga Agjencia Kombëtare e Anti-dopingut. Jam një sportiste që bëj më shumë se 20 kontrolle në vit dhe vetëm dy muajt e fundit kam bërë 6 të tilla, ku kanë qenë edhe muaj ku unë u shpalla kampione e Ballkanit në kros, kështu që më duken totalisht absurde këto përgjigje që më jepen. Mund të marr edhe një shembull tjetër, në vitin 2022 Federata Shqiptare e Atletikës organizoi Kampionatin Ballkanik të gjysmë-maratonës, aktivitet që u zhvillua pikërisht te Kodrat e Liqenit.

Edhe në këtë garë unë dola e para dhe mora shpërblimin, ndërsa në këtë aktivitet nuk ka pasur fare kontroll dopingu dhe mua ma dhanë shpërblimin. Pra, kur duan nuk ka shkelje ligjore për të dhënë shpërblimin, ndërsa kur nuk duan, nuk e japin dhe nxjerrin pretekstin që ka shkelje ligjore. Por në të vërtetë nuk ka asnjë shkelje ligjore, pasi në momentin që unë bëj kontroll në një aktivitet, sigurisht kam për detyrë ti bashkëngjitë përgjigjen që më ka ardhur nga ai test që unë kam kryer. Por unë nuk kam asnjë të drejtë të shkoj dhe t’u them që duhet të më bëni kontroll, pasi nuk e vendos unë diçka të tillë. Pra, medaljen e artë ballkanike që unë mora në kros mua ma njeh Federata Ballkanike por nuk ma njeh shteti im, kjo është arsyeja pse ndihem vërtetë e fyer.

Ju thoni se shpërblimi i medaljes së artë në Ballkanikun e krosit nuk është problemi i vetëm që keni hasur në ministri?

Shqetësim tjetër prej një viti e gjysmë është edhe rekordi ballkanik që unë kam thyer në Kampionatin Botëror. Sipas ministrisë unë nuk meritoj ta marr, sepse sipas tyre rekordi ballkanik duhet thyer në Kampionat Ballkanik, por nuk ka asnjë pikë në VKM që ta citojë këtë fjali. Thjesht këtë fjali e citon zyra juridike, të paktën kështu më është komunikuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Për të dhënë një shembull që ndoshta mund të kuptohet edhe më mirë nga sportdashësit, asnjë rekord duke e nisur që nga maratona, nuk është thyer në Kampionat Botëror, por njihen si rekorde botërore. Rekordin ballkanik mua ma njeh Federata Botërore, Federata Europiane si dhe Federata Ballkanike, por nuk ma njeh Ministria e Arsimit dhe Sportit, sepse thjesht kështu e mendon.

Çfarë përgjigjeje ju kanë dhënë nga komunikimi që keni pasur me ta?

Kjo është një pjesë që ndihem vërtetë e pa vlerësuar. Kam komunikuar me ministrinë dhe janë pikërisht këto përgjigjet fyese që më kanë kthyer. Jam munduar qoftë në rrugë zyrtare, duke bërë kërkesa dhe duke u shprehur shqetësimet e mia, por edhe miqësisht, duke pasur një takim rreth para një muaji me ministren. Më tha që do të shikohen se çfarë zgjidhjeje mund të jepet, por me sa shoh gjërat jo vetëm që nuk po zgjidhen, përkundrazi po marr disa përgjigje që fyejnë të gjithë karrierën time.

Gjithashtu ministria po ju mban peng edhe me rekordet kombëtare?

Nuk më njihen rekordet kombëtare që unë vendos në aktivitete ndërkombëtare që njihen nga Federata Botërore e Atletikës. Federata Botërore më njeh të gjithë rekordet si rekorde kombëtare, duke qenë se ato janë realizuar në aktivitete zyrtare të saj. Ndërkohë, edhe këto ministria nuk i njeh dhe citon në VKM që duhet ti thyesh rekordet kombëtare zyrtare në aktivitete që bëhen në Shqipëri. Ndërkohë që Federata Botërore nuk m’i njeh rekordet këtu edhe për faktin se Federata Shqiptare e Atletikës tashmë është në monitorim, pasi nuk plotëson standardet që duhen për të njohur rekordet kombëtare. Pra, kuptohet qartë që është diçka totalisht absurde dhe kjo është arsyeja pse unë jam kaq e irrituar.

Për sa rekorde bëhet fjalë?

Kam 13 rekorde kombëtare që unë pres që të sistemohet VKMja, sepse vetëm për rekordet kombëtare në fakt ka një ngërç që nuk më lejon ti marr. Pritet që të ndryshohet, ende nuk është bërë asgjë, por më është thënë që kjo gjë do të rregullohet. Të paktën kështu është komunikimi verbalisht që kam pasur për këtë çështje. Ndërsa për rekordin e Kampionatit Ballkanik, qoftë edhe për medaljen e krosit ballkanik më është kthyer përgjigje që nuk do ti merrni për arsyet që përmenda.

(Kosova Sot Online)