Ja kush po kërkon largimin nga Tottenhami

  • A.P /
  • 21 January 2024 - 17:17
Ja kush po kërkon largimin nga Tottenhami

Pierre-Emile Hojbjerg është ende në kërkim të një rrugëdaljeje nga Tottenham Hotspur këtë muaj dhe Juventusi ka ruajtur interesimin për mesfushorin.

28-vjeçari nuk ka qenë pjesë kyçe e planeve të Ange Postecoglou në këtë sezon. Ai ka regjistruar vetëm 919 minuta lojë në 22 paraqitje, duke qenë vetëm pesë herë titullar në Premierligë.

Si rezultat i mungesës së minutave, Hojbjerg dëshiron të largohet nga Spurs këtë muaj në mënyrë që të gjejë më shumë kohë të rregullt për të luajtur në gjysmën e dytë të këtij sezoni, duke dashur të jetë gati për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet në verë.

Sipas gazetarit nga “Sky Sports”, Florian Plettenberg, 28-vjeçari është ende duke u përpjekur të largohet nga klubi londinez në formë të përhershme, ose në formë huazimi duke përfshirë opsionin e blerjes.

Por, kryetari i klubit, Daniel Levy, thuhet se nuk është i hapur për një marrëveshje huazimi me një opsion blerjeje.

Juventusi është ende i interesuar për reprezentuesin danez dhe mund të përpiqet të bëjë një lëvizje në ditët në vijim, duke dashur të shtojë disa opsione të tjera në mesfushë pas pezullimeve të Paul Pogba dhe Nicolo Fagioli.

“Bianconerët” kanë qenë kryesisht të qetë në afatin kalimtar të janarit, duke punuar vetëm për një marrëveshje, për Tiago Djalo të Lille.

(Kosova Sot Online)