Komisioni i Medias në UEFA mblidhet nën drejtimin e Armand Dukës

  • A.P /
  • 23 January 2024 - 15:46
Komisioni i Medias në UEFA mblidhet nën drejtimin e Armand Dukës

Është zhvilluar këtë të martë mbledhja e parë e Komisionit të Medias të UEFA-s për vitin 2024, ku u diskutuan disa çështje të rëndësishme lidhur me mënyrën e komunikimit të UEFA-s dhe federatave anëtare me publikun.

Kjo mbledhje u drejtua nga kryetari i këtij komisioni, Armand Duka, njëherazi Zv.President i UEFA-s.

Gjatë mbledhjes u bë një bilanc i punës së bërë gjatë dy viteve të fundit nga ky komision, ndërsa u dhanë edhe udhëzime nga grupi drejtues për përmirësimin e komunikimit në të ardhmen.

Gjithashtu, u diskutua edhe për integrimin e Inteligjencës Artificiale në format e komunikimit të UEFA-s dhe të gjithë federatave anëtare, për format e reja të komunikimit të UEFA-s gjatë dy viteve të ardhshme si edhe u vendos mbajtja e një konference komunikimi për vitin 2024.

Në mbledhjen e Komisionit të Medias u fol edhe për platformat e komunikimit online: përditësimi i përmbajtjes digjitale të UEFA EURO 2024 dhe rrjeteve sociale të UEFA Champions League, por edhe për aktivitetet mediatike gjatë finaleve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

(Kosova Sot Online)