Abidal shmang akuzën për trafikim organesh

  • A.P /
  • 29 January 2024 - 19:52
Abidal shmang akuzën për trafikim organesh

Ish-lojtari i Barcelonës dhe drejtori sportiv i klubit, Eric Abidal, është liruar nga akuzat për trafik organesh, pasi një Gjykatë në Barcelonë ka vendosur ta arkivoi çështjen.

Rasti i tij ishte hapur në vitin 2017, për t’u mbyllur një vit më vonë. Por, u rihap përsëri, pas një bisede të raportuar midis presidentit të atëhershëm të Barcelonës, Sandro Rosell, dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, Juan Jose Castillo, në të cilën ky i fundit tha “i kemi blerë atij djalit një mëlçi të paligjshme”.

Megjithatë, sipas “AS”, kjo çështje është arkivuar sërish mbi bazën se nuk ka asnjë provë pagese nga Abidal apo Barcelona, duke u cilësuar në tërësi se çështja bazohet në hamendje dhe dyshime.

Rasti fillimisht ishte ngritur për parregullsi të supozuara në procesin e dhurimit të mëlçisë.

Abidal u shërua nga kanceri i mëlçisë që u diagnostikua në vitin 2011 dhe përfundoi duke ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve atë vit,  përpara se më vonë të bënte një transplantim.

Përveç te Barcelona, 44-vjeçari karrierë kishte bërë edhe te Monaco, Lille, Lyon dhe Olympiacos. Ai u pensionua nga futbolli në vitin 2015.

Abidal nga viti 2018 deri më 2020 ishte drejtor sportiv te Barcelona.

(Kosova Sot Online)