Nisin reagimet e klubeve të përmendura nga Laporta

  • A.P /
  • 02 February 2024 - 22:20
Nisin reagimet e klubeve të përmendura nga Laporta

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, sot dha një intervistë të për “RAC1”, në të cilën ai diskutoi për një sërë temash, përfshirë projektin e Superligës Evropiane.

Siç qëndrojnë gjërat, Barça dhe Real Madridi qëndrojnë si dy klubet e vetme që mbështesin ligën në fjalë

Por, Laporta këmbënguli se ka shumë klube që janë të gatshme t’i bashkoheshin projektit menjëherë, madje përmendi emrat e 13 klubeve.

Kur u pyet për klubet e interesuara për t’iu bashkuar Superligës, ai sot tha: “Inter, Milan, Napoli, Roma, çdo ekip në La Liga përveç Atletico Madrid, i cili ka një pozicion tjetër, Marseille, tri klubet portugeze; Benfica, Sporting dhe Porto, tri klubet holandeze; Ajax, Feyenoord dhe PSV, dhe dy klubet belge, Anderlecht dhe Bruges”.

Pas kësaj deklarate, tashmë janë katër klube që u përmenden nga Laporta, që kanë mohuar kategorikisht se do t’i bashkohen projektit të Superligës Evropiane.

Roma, Marseille, Ajax dhe Feyeenord, janë klubet që publikisht kanë reaguar dhe kanë mohuar një gjë të tillë.

“Siç u përsërit publikisht pak orë pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për çështjen e Superligës, AS Roma konfirmon se nuk mbështet në asnjë mënyrë asnjë lloj projekti që i atribuohet të ashtuquajturës Superligë. Klubi gjithashtu specifikon se nuk e ka rishikuar kurrë qëndrimin e tij për këtë çështje, as nuk ka zhvilluar diskutime për të ndërmarrë një rrugë tjetër nga ajo e përbashkët e klubeve përmes ECA, në bashkëpunim të ngushtë me UEFA dhe FIFA”, thuhet në reagimin e Romës.

“Qëndrimi ynë tashmë është sqaruar në dhjetor dhe nuk ka ndryshuar”, u tha në një reagim të presidentit të Marseille, Pablo Longoria, për “RMC Sport”.

“Hetimet në klub zbulojnë se Ajax nuk e ka diskutuar kurrë këtë me Laportan, e aq më pak ra dakord. Ajax është krejtësisht i befasuar nga ky pretendim i pajustifikuar”, thuhet në një reagim të Ajaxit.

Kurse, në reagimin publik të Feyenoordit u tha: “Feyenoord është shumë i befasuar nga raportimet në mediat ndërkombëtare se klubi ka pranuar të marrë pjesë në të ashtuquajturën Superligë. Kjo është absurditet total”. 

(Kosova Sot Online)