Peja pëson humbjen e parë në Ligën Ballkanike

  • A.P /
  • 06 February 2024 - 21:56
Peja pëson humbjen e parë në Ligën Ballkanike

Pas tri fitoreve radhazi, Peja ka pësuar humbjen e parë të sezonit në Ligën Ballkanike.

Kampionët e Kosovës pësuan humbje sonte nga 13 herë kampionët e Qipros, AEL Limassol, që drejtohen nga ish-basketbollistja e njohur nga ky shtet, Kalia Papadopoulou.

Ndeshja e zhvilluar në palestrën sportive “Karagaçi” përfundoi me rezultatin 84:94.

DeAndre Davis me 25 pikë ishte më i dalluari sonte te pejanët. Justin Edler-Davis shtoi 15 sosh.

Ndërsa, më të dalluarit në fitoren e qipriotëve ishin Jordan Shepherd me 29 pikë dhe Adong Makuoi me 24.

Vlen të theksohet se përveç Lis Soshit, i cili po vazhdon me fazën e rikuperimit, sonte te Peja mungoi edhe Sadio Doucoure, për të cilin klubi njoftoi se i është dhënë leje që të jetë pranë familjes së tij, pasi do të bëhet baba.

Skuadra e drejtuar nga Rami Hadar ndeshjen e ardhshme në Ligën Ballkanike do ta zhvillojë ndaj Sigal Prishtinës, më 29 shkurt.

(Kosova Sot Online)