Largimi i Mbappes mund ta shtyjë PSG-në drejt transferimit të Osimhenit

  • A.P /
  • 06 February 2024 - 22:27
Largimi i Mbappes mund ta shtyjë PSG-në drejt transferimit të Osimhenit

Paris Saint-Germain raportohet se ka shtuar në listë Victor Osimhenin, nëse Kylian Mbappe do të largohet përfundimisht në fund të këtij sezoni.

Ylli francez besohet të jetë gjithnjë e më afër kalimit te Real Madridi si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me PSG-në skadon në verën e këtij viti

Sipas “Corriere dello Sport”, parisienët janë kërkim të një ylli të ri për të zëvendësuar Mbappen dhe kanë shtuar Osimhenin në listën e tyre të dëshirave, duke qenë të vetëdijshëm se sulmuesi i Napolit dëshiron të ndryshojë ambient për sezonin e ardhshëm.

Ylli nigerian ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij dhe gjithashtu ka tërhequr interesim edhe nga disa klube angleze.

Kampionët në fuqi të Italisë nuk do të lejojnë largimin e tij për një çmim nën 100 milionë euro.

25-vjeçari me Napolin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.

PSG-ja është e lidhur edhe me një transferim të Rafael Leaos, i cili vlerësohet si një zëvendësues ideal i Mbappes.

Ylli i Milanit ka një klauzolë lirimi prej 175 milionë eurosh në kontratën e tij, aktive nga 5 deri më 15 korrik dhe e pagueshme në shumë këste

(Kosova Sot Online)