UEFA ka publikuar raportin e saj zyrtar financiar

  • A.P /
  • 09 February 2024 - 14:03
UEFA ka publikuar raportin e saj zyrtar financiar

UEFA ka publikuar raportin e saj zyrtar financiar për sezonin 2022-2023.

Është një dokument që ndër të tjera nxjerr në pah çmimet zyrtare të shpërndara në fund të garave evropiane të klubeve të vitit të kaluar, në tri garat evropiane si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës.

Liga e Kampionëve padyshim është gara më e pasur evropiane dhe rrjedhimisht ekipet pjesëmarrëse në garën elitare përfitojnë më shumë nga UEFA.

Kështu, ka ndodhur edhe në këtë sezon, ku fituesi i sezonit të fundit, Manchester City, është klubi me përfitimet më të mëdha.

Qytetarët në sezonin e fundit kanë fituar plot 135 milionë euro, duke lënë pas vete Real Madridin me 118 milionë euro dhe Bayern Munchen me 108 milionë euro.

Në vendin e katërt të përfituesve më të mëdhenj janë renditur Paris Saint-Germain me 101 milionë euro, po aq sa nën-kampioni i Evropës, Interi, në vendin e pestë.

Paratë ndahen nga pjesëmarrja, renditja e tyre historike, kalimi i fazave, tregu dhe bonuse të rezultateve.

Skuadrat e tjera të Premier League fituan më pak, duke qenë se nuk përparuan aq larg, ku Chelsea mori 81 milionë paundë, Liverpool 71 milionë dhe Tottenham Hotspur fitoi 56 milionë.

Italianët ishin diçka më mirë me Milanin që fitoi mbi 85 milionë për shkak të arritjes në gjysmëfinale, Napoli fitoi mbi 77 milionë euro dhe Juventusi pak më shumë se 56 milionë euro.

UEFA në sezonin e fundit ndau një total çmimesh që kapin vlerën e 2.06 miliardë eurove, ndërsa nga sezoni i ardhshëm, do të paguajë një total prej gati 2.5 miliardë eurosh për 36 skuadrat pjesëmarrëse


(Kosova Sot Online)