Kosova e fiton miqësoren e parë ndaj Letonisë

  • A.P /
  • 09 February 2024 - 21:03
Kosova e fiton miqësoren e parë ndaj Letonisë

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar fitore ndaj Letonisë si mysafir me rezultat 5:4 në ndeshjen e parë miqësore.

Të besuarit e përzgjedhësit, Agon Ramadani, kishin më shumë nga loja, duke krijuar më shumë raste, por vendasit ishin më të saktë në mesin e pjesës së parë, duke shënuar dy herë radhazi me Edgars Tarakanovs.

Në dy minutat e fundit, Kosova u hodh në aksion duke shënuar tre herë me Ylli Mazrekun, Drilon Maxharrajn dhe kapitenin, Ramadan Alaj.

Kjo pjesëlojë u mbyll me rezultat 3:2 në të mirë të Kosovës.

Me të filluar pjesa e dytë, Letonia barazoi me Germans Matjusenkon për 3:3, por kjo nuk zgjati shumë pasi Drilon Maxharraj ktheu epërsinë për Kosovën në 4:3.

Gjashtë minuta pa u mbyllur takimi, kapiteni Ramadan Alaj shënoi golin e dytë personal për rezultatin 5:3.

Në pesë minutat e fundit vendasit luajtën me pesë lojtarë duke tentuar të bëjnë trysni për të afruar rezultatin, por shënuan vetëm një gol me Edgars Tarakanovs pak pa u mbyllur takimi.

Ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve kombëtare do të zhvillohet nesër. 

(Kosova Sot Online)